Secili person me Çrregullim të Spektrit të Autizmit (ÇSA) ka nevoja të ndryshme. Prandaj, secili person duhet të konsiderohet individualisht dhe t’i ofrohet trajtimi i duhur i përshtatshëm i nevojave individuale. Qëllimi është të ndihmojmë personin që të fitojë aftësi të caktuara, t’i përmirësojë ato në mënyrë që të funksionojë më lehtë në jetën e përditshme, mjedisin dhe shoqërinë.
Çdo fëmijë me autizëm përballet me vështirësi të ndryshme në kryerjen e aktiviteteve dhe ka nevoja të ndryshme për mbështetjen dhe ndihmën gjatë të mësuarit.
Është e rëndësishme që mësimdhënësit t’i kuptojnë vështirësitë dhe arsyet për llojet e ndryshme të sjelljes që mund ta shfaqin këta fëmijë. Arsyet më të zakonshme janë:
-
- Vonesa në përpunimin kognitiv të informatave të pranuara
- Për shembull: Nëse një nxënës me ÇSA kërkohet të përgjigjet në një pyetje të dhënë, nxënësi ka nevojë për më shumë kohë për të dhënë përgjigjen e saktë. Mësimdhënësi në këtë rast duhet të presë një kohë më të gjatë derisa të marrë përgjigjen nga nxënësi. Përndryshe, kjo do të shkaktojë ankth tek fëmija duke e përsëritur vazhdimisht pyetjen ose duke e shprehur mosdurimin. Mund të shkaktojë sjellje të papërshtatshme (sfiduese) nga ana e nxënësit (shpërthim të zemërimit, tërbimit, bërtitje, lëvizje të pakontrolluar dhe ndonjëherë vetëlëndim ose lëndimin e të tjerëve).
- Ndjeshmëria hiper dhe hipo
- Fëmija me autizëm mund të jetë veçanërisht i ndjeshëm ndaj tingujve të caktuar, ose mund të mos jetë në gjendje të tolerojë shije dhe tekstura të caktuara ushqimore, tekstura në sipërfaqe të ndryshme, madje edhe shkrimin me laps në një copë letër ose të shkruarit me shkumës në tabelë mund të shkaktojë shqetësime tek fëmija. Në këto raste, mësimdhënësi duhet të flasë me nxënësin, ta inkurajojë atë dhe t’i tregojë diçka në mjedisin që ia tërheq vëmendjen. Në mënyrë plotësuese, mësimdhënësi duhet të krijojë kushte në të cilat t’i eliminojë ose zvogëlojë këta stimuj sfidues.
- Deficiti i aftësive sociale
- Deficiti në aftësitë sociale e bën fëmijën me autizëm një “fëmijë të pazakontë”. Klasa është vendi i përsosur për t’i përvetësuar dhe praktikuar aftësitë sociale. Faktori më i rëndësishëm në këtë rast është mësimdhënësi. Mund të ndihmojë shumë duke inkurajuar tolerancën dhe zhvillimin e aftësive tek nxënësit e tjerë për të ndihmuar nxënësin me autizëm që të ndihet i pranuar në grup.
- Sfidat në aftësitë motorike
- Në pjesën e aftësitë motorike, fëmijët me autizëm mund të kenë vështirësi në përvetësimin e procesit të të shkruarit ose të kenë probleme me dorëshkrim. Detyrimi i nxënësit për të bërë përpjekje të panumërta praktike për të ushtruar dorëshkrimin u tregua të ishte praktikë e keqe, e cila çoi në përforcimin e shprehive të këqija të nxënësit, hezitimin për t’i kryer obligimet e dhëna dhe reagimin e papërshtatshëm nga ana e tij. Mendoni mbi mënyrat alternative të përdorimit të kompjuterit ose karteles me fotografi të shoqëruara me fjalë.
- Vështirësitë në të shprehur
- Ka fëmijë me autizëm që kanë aftësi intelektuale për ta zotëruar programin e parashikuar mësimor, por aftësitë e të folurit dhe gjuhësore mund të paraqesin vështirësi. Këta nxënës mund të kenë probleme që t’i shprehin emocionet e tyre. Vështirësitë shtesë janë edhe mundësitë e kufizuara për të bërë dallimin midis shprehjeve të ndryshme gjuhësore të njerëzve të ndryshëm, keqkuptimit të kuptimeve figurative të fjalëve, humorit, sarkazmës në të folur, intonacionit të zërit në komunikim. Sidoqoftë, me mbështetjen dhe punën e vazhdueshme në këtë fushë, inkurajimi dhe nxitja mund të mësohen t’i përmirësojnë aftësitë e tyre të të folurit dhe gjuhësore. Gjithashtu duhet të inkurajohen duke i theksuar aspektet ku ata janë të mirë. Kjo do të thotë, në vend që të vihen në situata ku ata do të heqin dorë, duhet të vihen në situata ku ata mund të dëshmohen, si p.sh.: në vend që të kërkoni shpjegimin e mësimeve, nxirrni në pah talentin e tyre për matematikë, dhe të ngjashme.
- Vonesa në përpunimin kognitiv të informatave të pranuara
Këshilla për të punuar me nxënësit me autizëm të përfshirë në shkollat e rregullta
-
- Jini konsekuent
Fëmijët me autizëm vështirë se mund ato që kanë mësuar në një kontekst t’i zbatojnë në një tjetër (përkatësisht ato që kanë mësuar në një dhomë mund të kenë vështirësi t’i zbatojnë në dhomën tjetër). Si rrjedhojë, një aktivitet të caktuar që e kanë mësuar në klasë, vështirë e kanë ta realizojnë edhe në shtëpi. Prandaj është e nevojshme që atë që e punojnë mësimdhënësit dhe terapistët me fëmijën me autizëm, me të njëjtën teknikë dhe metodë të vazhdohet edhe në shtëpi. Është e nevojshme të insistohet që një aktivitet i caktuar të zhvillohet në disa vende, në mënyrë që të inkurajohet fëmija që ta transferojë atë që ka mësuar nga një mjedis në tjetrin. Është veçanërisht e rëndësishme të jesh konsekuent në mënyrën e ndërveprimit me fëmijën, si dhe në trajtimin e sjelljes sfiduese (format e sjelljes shoqërisht të papranueshme).
-
- Përmbajuni orarit të aktiviteteve
Fëmijët me autizëm punojnë më mirë kur kanë orar ose rutinë shumë të strukturuar. Vendosni orar për fëmijën. Shënoni qartë orët e ndryshme, pushimet e vogla dhe të mëdha, kohën e shujtës, etj. Këshilloni prindërit që të bëjnë të njëjtën gjë në shtëpi: t’i përcaktojnë rutinat në mëngjes (zgjimi, higjiena personale, veshja), orën e rregullt të ushqimit, orët e terapisë, orët në shkollë dhe aktivitetet e mbrëmjes para gjumit). Mundohuni t’i minimizoni ndërprerjet në këtë rutinë. Nëse ka ndryshim të pashmangshëm të orarit, përgatiteni fëmijën për të paraprakisht.
-
- Përdorni përmbajtje vizuale
Kartelat vizuale mund të shërbejnë si përkujtues për rregullat e klasës dhe burimet që janë në dispozicion të nxënësve. Përdorimi i fotove do të thotë shumë më tepër për fëmijët me autizëm sesa një shpjegim i gjatë verbal. Sinjalet vizuale mund të jenë shumë të dobishme, veçanërisht në shtëpinë ku do të shënohen vendet dhe sendet që janë të rrezikshme për nxënësin.
-
- Shpërblejeni sjelljen e mirë
Lavdërojeni fëmijën me autizëm kur vepron në mënyrë të përshtatshme ose mëson ndonjë aftësi të re. Gjithashtu, kërkoni mënyra të tjera për ta shpërblyer për sjelljen e mirë, për shembull, duke i dhënë një afishe ose duke e lënë të luajë me lodrën e tij të preferuar ose ta shikojë shfaqjen e tij të preferuar televizive, etj., për një periudhë të shkurtër kohore.
-
- Jini konkret dhe të saktë në kërkesat
Kur bëni një pyetje ose detyrë të veçantë që duhet ta kryejë fëmija me autizëm, duhet të jetë i qartë dhe i saktë në kërkesat. Detyrat duhet të jenë në një nivel konkret, pa përmbajtur ndonjë term apo koncept abstrakt që do të krijonte konfuzion dhe ankth te nxënësi.
-
- Siguroni një kënd relaksues (qetësues) në klasë / shtëpi
Siguroni hapësirë në klasë / shtëpi ku fëmija me autizëm mund të relaksohet dhe ku do të ndihet i sigurt dhe i lumtur.
-
- Siguroni parashikuesmërinë
Të qenit i parashikueshëm e zvogëlon ankthin tek fëmijët me autizëm dhe do të ndihmojë për të shmangur shpërqendrimet, si dhe sjelljen sfiduese. Gjithmonë jepini fëmijës me autizëm një plan të qartë paraprakisht për të gjitha aktivitetet që do të pasojnë, përkatësisht ofroni orar që mund ta kuptojë dhe sipas të cilit do të dijë se çfarë duhet më tej.
-
- Përdorni mënyra joverbale të komunikimit
Lidhja me fëmijën me autizëm mund të jetë sfiduese, por nganjëherë nuk keni pse të flisni – apo edhe të prekni – për të komunikuar dhe lidhur. Ju komunikoni edhe joverbalisht me fëmijën, sipas mënyrës se si e shikoni, sipas tonit të zërit që përdorni, gjithashtu edhe me gjuhën e trupit. Edhe fëmija me autizëm gjithashtu komunikon, madje edhe kur nuk flet. Është e nevojshme vetëm të vëzhgosh me kujdes fëmijën dhe të njohësh shenjat e komunikimit joverbal që tregon fëmija. Qëndroni mjaft kohë dhe bëni durim dhe do të mësoni “gjuhën” në të cilën fëmija komunikon. Nëse jeni të kujdesshëm do t’i vini re shenjat joverbale që përdorin fëmijët me autizëm për të komunikuar. Kushtojini vëmendje të gjithë tingujve që i lëshojnë, shprehjeve të fytyrës dhe gjesteve që i përdorin kur janë të lodhur, të uritur ose kur duan diçka.
-
- Zbulojeni motivimin prapa zemërimit
Të gjithë ndjehemi të shqetësuar kur keqkuptohemi ose shpërfillemi. Të njëjtin shqetësim e ndiejnë edhe fëmijët me autizëm. Sjellja e papërshtatshme në situata të caktuara (shfaqja e shqetësimit, zemërimit, hidhërimit, tërbimit) ndodh sepse sinjalet e tyre joverbale nuk janë kuptuar dhe duke shprehur zhgënjimin e tyre e tërheqin vëmendjen ndaj vetvetes.
-
- Siguroni ndihmë gjatë organizimit
Derisa disa fëmijë me autizëm janë të organizuar në mënyrë të përsosur, të tjerët kanë nevojë për mbështetje për të gjetur materiale, për të mbajtur të rregullt dollapin dhe tryezën e tyre të punës. Prandaj është e nevojshme që mësimdhënësi të përdorë strategji të mbështetjes. Për shembull, bëni që të gjithë nxënësit t’i kopjojnë veprimet e mësimdhënësit në kryerjen e veprimtarisë së caktuar, t’i paketojnë librat dhe mjetet në çantat e shpinës dhe t’i pastrojnë dhe rregullojnë vendet e punës. Përsëritja e të njëjtit aktivitet çdo ditë do t’u japë të gjithë nxënësve mundësinë për t’u organizuar.
-
- Siguroni zgjedhje alternative
Shkrimi mund të jetë burimi kryesor i shqetësimit për fëmijët me autizëm. Disa nuk mund të shkruajnë fare, dhe të tjerët që mund të shkruajnë mund të kenë vështirësi. Në mënyrë që të mbështesë një nxënës me autizëm, mësimdhënësi duhet t’i inkurajojë vazhdimisht kur përpiqen të shkruajnë një fjalë ose fjali. Mësimdhënësi gjithashtu mund ta lejojë të përdorë edhe kompjuter për të shkruar, sepse në këtë mënyrë ndihmon nxënësin me autizëm që të përqendrohet në detyrë, respektivisht në përmbajtje, në vend të aftësive të tij motorike.
-
- Krijoni klasë të këndshme
Ndonjëherë fëmijët me autizëm janë më pak të suksesshëm, sepse ndihen të pakëndshëm ose të pasigurt ose madje kanë frikë nga moshatarët e tyre. Nxënësit me autizëm do të jenë më të përgatitur për të mësuar në vendet ku mund të pushojnë dhe të ndihen të sigurt. Idetë për të bërë një klasë të këndshme përfshijnë sigurimin e rekuizitave të natyrës së ndryshme p.sh.: për ulje (karrige lëkundëse); zvogëlimi i dritës së drejtpërdrejtë kur është e mundur (p.sh.: përdorimi i dritës së projeksionit lart, sigurimi i mbrojtësve në rast se nxënësi është veçanërisht i ndjeshëm); dhe minimizimi i tingujve shpërqendrues (p.sh.: sigurimi i kapëseve të veshit ose kufjeve gjatë aktiviteteve të caktuara), si dhe pranimi i nxënësit nga moshatarët.
-
- Përfshijeni fëmijën me autizëm në aktivitete
Nëse nxënësit me autizëm kanë nevojë të mësojnë se si të sillen në situata të caktuara, duhet të jenë në një mjedis gjithëpërfshirës për të parë dhe dëgjuar se si moshatarët e tyre flasin dhe veprojnë. Nëse fëmijët me autizëm kanë nevojë të mësojnë aftësi sociale, ata duhet të jenë në një hapësirë ku mund të mësojnë nga të tjerët me të cilët shoqërohen. Nëse një nxënës me autizëm ka nevojë për ndihmën e duhur, atëherë mësimdhënësi duhet të vëzhgojë se si funksionon nxënësi në klasën gjithëpërfshirëse, në mënyrë që të përcaktojë se cilat lloje të mbështetjes do të nevojiten. Një mjet veçanërisht i dobishëm në ndërtimin e aftësive sociale është përdorimi i tregimeve sociale.