Dëmtimi i të dëgjuarit ose shurdhimi është gjendja në të cilën individët nuk janë pjesërisht ose plotësisht në gjendje t’i pranojnë ose njohin frekuencat e zërit që normalisht mund ta dëgjojnë individët e tjerë të të njëjtit lloj.
Dëmtimi i të dëgjuarit caktohet sipas
-
- llojit (konduktive, senzo-neurale ose të kombinuar),
- shkallës së dëmtimit (e lehtë, mesatare, e rëndë dhe e plotë),
- fillimeve të dëmtimit (shurdhim para të folurit dhe pas të folurit).
Dëmtimi i të dëgjuarit mund të ndodhë vetëm në njërin vesh (unilaterale) dhe në të dy veshët (bilaterale).
Kjo mund të ndodhë për një sërë arsyesh: ekspozimi afatgjatë ndaj zhurmës, arsye gjenetike, sëmundjeve, antibiotikëve, ekspozimi ndaj kimikaleve toksike, traumës fizike.
Edhe të rriturit, edhe fëmijët që kanë humbje të ndjeshme të dëgjimit mund të përdorin aparate dëgjimi të cilat u sigurojnë dëgjimin e të folurit dhe tingujt nga mjedisi i drejtpërdrejtë. Ka shumë kërkime që tregojnë se ajo që me të vërtetë u ndihmon njerëzve me humbje të madhe të dëgjimit është implanti koklear.
ÇFARË ËSHTË IMPLANTI KOKLEAR?
Implanti koklear është një shpikje elektrike që e kryen punën e qimeve të dëmtuara në vesh duke e stimuluar nervin dëgjimor. Përbëhet nga dy komponentë kryesorë. Njëri është i vendosur në kokë, ndërsa komponenti i dytë mbahet në pjesën e jashtme të kokës. Komponenti i jashtëm e përmirëson sinjalin dhe fuqinë që mundëson pjesët e brendshme të funksionojnë. Në thelb të gjitha implantet funksionojnë në të njëjtën mënyrë, por kompani të ndryshme prodhojnë komponentë të ndryshëm që ndryshojnë në formën, materialin nga i cili është bërë dhe të ngjashme. Në procesin e instalimit të implantit koklear përfshihen ekzaminimet e shumta, operacionet dhe periudha e rehabilitimit.
NË ÇKA PËRBËHET REHABILITIMI?
Rehabilitimi është procesi në të cilin profesionistët e mbështesin fëmijën dhe familjen e tij në përshtatjen me dëmtimin e dëgjimit, gjatë përdorimit të implantit koklear dhe zhvillimit të aftësive të të folurit të fëmijës dhe shkathtësive të tij të komunikimit. Rehabilitimi është i ndryshëm nga edukimi dhe në të përfshihen audiologët, logopedët, pediatrët, edukatorët dhe rehabilitatorët specialë për fëmijët me dëgjim të dëmtuar dhe personat e tjerë profesionalë.
IMPLANTI KOKLEAR DHE KUSHTET E SHKOLLËS?
Nxënësi me implant koklear në kushtet e shkollës ka për detyrë ta zhvillojë të folurit. Mësimdhënësi në bashkëpunim me personat e tjerë profesionalë nga të cilët fëmija ka pasur mbështetje gjatë rehabilitimit ka për detyrë të gjejë mënyrë për ta inkurajuar vazhdimisht fëmijën të dëgjojë dhe të përdorë potencialin maksimal të implantit. Këta nxënës mund të ndjekin shkollë për të shurdhrit ose shkollë fillore të rregullt, por pa marrë parasysh se në cilën shkollë ndjekin është e nevojshme të zhvillohen aftësitë e tyre dëgjimore. Është e nevojshme të njihen interesat, frikët dhe nevojat me qëllim që të zhvillohen më me sukses aftësitë e të folurit, të lexuarit dhe të dëgjuarit. Strategjitë e përdorura për të punuar me nxënësit me dëgjim të dëmtuar, pavarësisht nëse kanë implant koklear ose jo thuajse janë identike.
GJUHA E SHENJAVE
Kur komunikoni, shumë nxënës / persona me dëgjim të dëmtuar shpesh e përdorin gjuhën e shenjave. Njohuritë e tij varen nga mjedisi prej nga vjen. Nxënësit që vijnë nga mjedisi ku përdoret vetëm të folurit me gojë shpesh nuk e dinë gjuhën e shenjave. Ata vetë “shpikin” shenja që lidhen me gjërat për të cilat flasin.
Më vonë, kur këta i takojnë personat e shurdhër të cilët e dinë dhe e përdorin në mënyrë aktive gjuhën e shenjave, ata lehtë e pranojnë të vërtetën.
Gjuha e shenjave është e rëndësishme për përdorim sepse është baza për plotësimin e mëtejshëm të njohurive dhe zhvillimin e procesit të të menduarit, siç ndikon edhe të folurit gojor tek fëmijët që dëgjojnë. Është shumë e rëndësishme të theksohet se gjuha e shenjave nuk është një përkthim fjalë për fjalë i fjalës që dëshironi ta thoni. Secila fjalë ka shenjën e vet një ose më shumë. Gjuha e shenjave e ka gramatikën e vet specifike. Shpesh në interpretim janë të kufizuara në disa fjalë, përkatësisht theksohet qëllimi kryesor i mendimit, pa u ngarkuar me lidhëza.
Kjo është arsyeja pse nxënësit me dëgjim të dëmtuar kur flasin në gjuhën e shenjave, fjalitë janë shumë të shkurtra, ndonjëherë me dy ose tri shenja.
Në Republikën e Maqedonisë së Veriut përdoret gjuha maqedonase e shenjave, e cila flitet nga të gjithë personat e shurdhër dhe gjysmë të shurdhër, pavarësisht nga përkatësia etnike. Për disa vjet me radhë, Unioni Republikan i Personave të Shurdhër dhe Gjysmë të Shurdhër ka organizuar trajnime falas për të mësuar gjuhën e shenjave.
Kur bëhet fjalë për nxënës me dëgjim të dëmtuar duhet të merren parasysh këto fakte:
-
- Specifikimi i punës me fëmijët me dëgjim të dëmtuar shihet në theksimin e vizualizimit të informatave të cilat u prezantohen nxënësve. Përveç të folurit, fotografia ose videoja janë mjeti kryesor i prezantimit të fakteve.
- Nxënësit me dëgjim të dëmtuar kanë potencialin të arrijnë të njëjtat rezultate si çdo fëmijë tjetër, në varësi të nivelit të mbështetjes nga familja, shkolla dhe mjedisi.
- Qasja ndaj këtyre fëmijëve është e rëndësishme sepse ndikon drejtpërdrejt në zhvillimin e vetëbesimit të tyre.
-
- Nxënësi gjithmonë mëson të dëgjojë gjatë aktiviteteve në shkollë dhe t’i bëjë ato në mënyra të ndryshme (p.sh. përgatitja e shujtave mund të bëhet duke thirrur me emër, radhitja me çifte, etj.).
- Nuk përdor zhargone ose fraza të cilat do t’ia bëjnë të vështirë të kuptuarit se çfarë doni të thoni, përdorni fjalë dhe shpjegime të thjeshta dhe gjithmonë përdorni fotografi për të mbështetur atë që thuhet.
- Pyeten nëse e kuptojnë përmbajtjen.
- Në situata të caktuara përdoren nxënësit e tjerë për të shpjeguar, ndihmuar.
- Gjithmonë flitet me të folur normale pa e theksuar gojën dhe duke bërë grimasë, kjo e bën të vështirë leximin nga goja.
- Kur flasim me nxënësin me dëgjim të dëmtuar duhet të jemi gjithmonë në pozicion ballë për ballë, jo drejt tabelës ose murit.
- Gjatë përdorimit të përmbajtjeve të digjitalizuara, ky grup nxënësish nuk mund të lexojë me gojë në të njëjtën kohë, prandaj është i nevojshëm programimi i kohës për shpjegim ose mbështetje të tekstit.
- Vendosja e nxënësit në dhomë ka një rëndësi të madhe, është e rëndësishme të jetë në vendin ku mund ta ndjek më lehtë gjithçka që ndodh në klasë ose të kthyer me shpinë kah dritarja, por jo menjëherë para mësimdhënësit.
- Ndriçimi në dhomë ka gjithashtu rëndësi të madhe sepse dhoma e ndriçuar në mënyrë joadekuate e zvogëlon dukshmërinë.
- Nëse nxënësi përdor aparate dëgjimi, tingulli duhet të vijë gjithmonë nga ana e aparatit.
- Gjuha e shenjave është njëra nga mënyrat e komunikimit me nxënësit me dëgjim të dëmtuar.
- Përdorimi i gjuhës së shenjave duhet të mbështetet gjithmonë nga të folurit, i cili do të jetë i natyrshëm, dhe jo nga lëvizjet e theksuara të gojës, grimasat ose të folurit shumë të zhurmshëm.
- Problemi kryesor gjatë punës ose në përgjithësi të kontaktit me këta nxënës është komunikimi dhe vizualizimi i një pjese të nocioneve abstrakte.