METODA E NDËRVEPRIMIT ME VIDEO
Ndërveprimi me video është një metodë përmes së cilës përmirësohen komunikimi dhe relacionet – marrëdhëniet midis pjesëmarrësve në të. Bazat e ndërveprimit me video bazohen në kërkimet që kanë ndjekur komunikimin spontan midis foshnjave dhe prindërve të tyre. Konkluzioni nga këto kërkime është se komunikimi i suksesshëm, ndërveprimi zhvillohet në bazë të parimeve të caktuara: ndjekja e iniciativës; pranimi; miratimi; ndryshimi i roleve; duke dhënë udhëzime. Këto parime vlejnë për të gjitha llojet e komunikimit midis njerëzve – prindërve dhe fëmijëve; mësimdhënësve dhe nxënësve; mësimdhënësve dhe kolegëve të tij, etj.
Ndërveprimi me video gjen zbatim kudo që ka ndërveprim. Mund të jetë në shtëpi, në çdo aktivitet në grup, gjatë aktiviteteve të lojës, gjatë orës në klasë ose në vendin e punës. Në të mund të përfshihen:
-
- prindërit / kujdestarët dhe familjet e zgjeruara të nxënësve me aftësi të kufizuara;
- personali i përfshirë në punën me nxënësit me aftësi të kufizuara;
- nxënësit me aftësi të kufizuara.
Përshkrimi i metodës:
Personi që aplikon Ndërveprimin me Video (Guida Ndërvepruese me Video) bën një incizim (që zgjat rreth 10 minuta) të ndërveprimit midis pjesëmarrësve në ndërveprim – i rrituri me të rritur, i rrituri me nxënës, nxënësi me nxënës. Incizimin e shikon si një e tërë dhe më pas u kushton vëmendje të veçantë pjesëve të caktuara të zgjedhura të videos ku tregohen shembujt më të mirë të komunikimit. Videot janë zgjedhur në bazë të parimeve të caktuara që janë zhvilluar gjatë kërkimeve të kryera me temën – ndërveprimi efektiv. Guida dhe pjesëmarrësit i shikojnë videot dhe më pas i diskutojnë në detaje. Duke i shikuar videot, dhe veçanërisht duke u përqendruar në “momentet kryesore” të caktuara në ndërveprim, pjesëmarrësit mund të vërejnë shumë elemente në komunikimin / ndërveprimin e tyre me bashkëbiseduesit, përkatësisht t’i shohin aftësitë e tyre të komunikimit dhe mënyrën se si mund t’i zhvillojnë më tej ato. Ky proces përsëritet derisa të arrihet rezultati produktiv. Numri i sesioneve të tilla gjatë të cilave videot shikohen dhe analizohen në detaje është i ndryshueshëm dhe varet nga nevojat individuale të pjesëmarrësve – ata që duan ta përmirësojnë ndërveprimin / komunikimin e tyre me të tjerët (p.sh. mësimdhënësi me nxënësit). Përmes tyre, pjesëmarrësit kanë mundësinë të njohin sesi ndërveprimi i tyre pozitiv ndihmon në komunikim. Duke e vëzhguar veten e tyre, bëhen më të vetëdijshëm për aftësitë e tyre në komunikimin efektiv. Vëzhgimet, qëndrimet dhe mendimet e tyre mbi situatat konkrete të shfaquara në sekuencën e videos diskutohen me guidën e Ndërveprimit me Video. Në këtë mënyrë, aftësitë e tyre të komunikimit përmirësohen, përkatësisht ndryshimi i stilit të tyre të komunikimit dhe marrëdhënia e tyre ndaj të tjerëve zhvillohet vazhdimisht.