QASJA E DIFERENCUAR NDAJ TË MËSUARIT
Për pjesëmarrjen aktive dhe produktive në aktivitetet shkollore, nxënësit me aftësi të kufizuara kanë nevojë për mbështetje shtesë. Për atë qëllim, mësimdhënësit janë ata që bëjnë ndërhyrje të synuara, përkatësisht zbatojnë qasje të diferencuar në planifikimin dhe realizimin e mësimit për t’u mundësuar nxënësve pjesëmarrjen dhe mundësinë për t’i arritur rezultatet e dëshiruara nga të mësuarit.
Diferencimi është përshtatja e mësimit dhe të mësuarit me nevojat dhe mundësitë dhe aftësitë e nxënësve. Diferencimi është proces me anë të të cilit planifikohen aktivitetet që lidhen me rezultatet e të mësuarit të programit mësimor, metodat e të mësuarit dhe aktivitetet e të mësuarit për t’i përmbushur nevojat e secilit nxënës individualisht. Ai siguron që detyrat të jenë të përshtatura me nevojat individuale të të gjithë nxënësve, përfshirë edhe nxënësit me aftësi të kufizuara.
Gjatë diferencimit mund të përdoren strategji të ndryshme:
-
- Secili nxënës punon në detyrën e tij, me ritmin e tij;
- Ligjërimi reduktohet në të ashtuquajturën “niveli i mesëm (i njëjti material, të njëjtat pyetje, të njëjtat udhëzime) për të gjithë nxënësit, por ata që janë në nivel më të lartë marrin detyrë më të ndërlikuar, ndërsa ata me vështirësi të çdo natyre marrin ndihmë shtesë;
- Ndarja e paraleles në grupe sipas aftësive (secili prej grupeve merr detyrë të ndryshme në kompleksitet, por qëllimet e të mësuarit janë të njëjta);
- Detyrat janë rregulluar në kompleksitet, në mënyrë që vetëm më të mirët arrijnë në detyrat më komplekse);
- Jepet e njëjta detyrë e hapur dhe secili nxënës punon me cilësinë maksimale që mund të arrijë, ndërsa nxënësit me aftësi të kufizuara marrin mbështetje dhe ndihmë shtesë;
- Nxënësit vetë i zgjedhin detyrat që do t’i zgjidhin;
- Të gjithë kanë të njëjtat detyra, por në grup nxënësit ndihmojnë njëri-tjetrin;
- Të gjithë nxënësit marrin të njëjtat fletë pune dhe i zgjidhin detyrat me ritmin e tyre (nxënësit me aftësi të kufizuara intelektuale marrin detyra të përshtatura me aftësitë e tyre intelektuale);
- Të gjithë nxënësit përpunojnë një aspekt të veçantë të temës, por secili në mënyrën e vet.