Terapia okupacionale quhet ndryshe edhe terapia e punës. Është një profesion shëndetësor që merret me promovimin e shëndetit dhe mirëqenies së personit përmes aktiviteteve të punës në përputhje me moshën dhe nevojat individuale.
Qëllimi primar i terapisë okupacionale është t’u mundësojë njerëzve që të marrin pjesë sa më të pavarur në aktivitetet e jetës së përditshme.
Në terapinë okupacionale, “puna” ka të bëjë me aktivitetet e përditshme të kryera nga fëmijët / personat në familje dhe në komunitet. Secili individ, pavarësisht moshës, kryen aktivitete të përditshme që mund të synohen:
-
- ndaj vetes (veshja, larja, etj.),
- ndaj familjes (shërbimi i tryezës, palosja e rrobave…) dhe
- ndaj komunitetit (ndjekja e rutinave ditore në kopshtin e fëmijëve, shkollën ose vendin e punës).
Terapia okupacionale përfshin aktivitete që u nevojiten fëmijëve / personave për funksionim më të pavarur në jetën e përditshme.
Terapistët okupacionalë janë profesionistë që kanë licencë për të kryer terapi okupacionale. Ata punojnë me të gjitha grupmoshat dhe trajtimi përfshin një gamë të gjerë të fushave fizike dhe psikosociale. Terapistët okupacionalë zakonisht punojnë në spitale, klinika, qendra ditore, qendra rehabilitimi, shërbime të kujdesit në shtëpi, shkolla të veçanta ose si profesionistë të praktikës private dhe konsulentë.
Çfarë përfshin puna e terapistëve okupacionalë?
Vlerësimi
Terapia okupacionale bazohet në vlerësimin e kapaciteteve individuale dhe vështirësive me të cilat përballet personi në funksionimin e përditshëm. Vlerësimi përfshin përdorimin e procedurave të standardizuara, intervistave, vëzhgimin e personit në situata të ndryshme të jetës dhe konsultimeve me anëtarët e familjes dhe profilet e tjera profesionale të përfshira në jetën e personit.
Planifikimi
Në bazë të rezultateve të vlerësimit, terapisti okupacional përpilon Plan të Terapisë Okupacionale dhe vendosen qëllimet afatshkurtra dhe afatgjata të trajtimit. Plani duhet të jetë relevant për fazën e zhvillimit, shprehitë e jetës, potencialet dhe interesat e fëmijës.
Trajtimi
Trajtimi përqendrohet në programet që janë disenjuar për të lehtësuar kryerjen e aktiviteteve të përditshme të fëmijës dhe për t’iu përshtatur mjedisit në të cilin fëmija luan, mëson, jeton dhe shoqërohet. P.sh.: sigurimi i pajisjeve të adaptuara që do ta lehtësojnë pavarësinë e fëmijës në kujdesin për veten, heqjen e pengesave në mjedis dhe sigurimin e burimeve për të zvogëluar stresin.
Bashkëpunimi
Terapistët okpacionalë e njohin rëndësinë e punës ekipore. Bashkëpunimi dhe koordinimi me terapistët e tjerë, familjen, edukatorët, mësimdhënësit dhe vullnetarët janë të rëndësishëm në realizimin e qasjes holistike.