Zhvillimi kognitiv ose intelektual i referohet mënyrës se si fëmijët mësojnë, mendojnë dhe krijojnë ideja. Kjo është njëra nga fushat e zhvillimit që ndikohet shumë nga përvojat që i ka pasur fëmija. Zhvillimi kognitiv është t’i mësosh aftësitë e të kuptuarit, të mbajturit mend dhe të përqendrimit. Zhvillimi kognitiv i referohet rritjes së aftësive intelektuale dhe mendore të fëmijëve. Më konkretisht, bëhet fjalë për një proces progresiv që ndodh si rezultat i ndërveprimit të fëmijës me objektet, subjektet dhe ngjarjet e tjera që ndodhin në mjedisin e tij.
Zhvillimi kognitiv bashkon disa segmente, siç janë: njohja, përpunimi, organizimi dhe përdorimi i duhur i informatës së dhënë. Procesi i zhvillimit kognitiv përfshin aktivitete komplekse mendore, të tilla si: hulumtimi, zbulimi, prezantimi, klasifikimi dhe memorizimi i informatave.
Kjo fushë e zhvillimit të personalitetit të fëmijëve, në të njëjtën kohë, përfshin: “Si mendojnë dhe çfarë dinë fëmijët”. Zhvillimi kognitiv u referohet strategjive që fëmijët i përdorin për ta hulumtuar dhe mësuar botën që i rrethon, ndërsa përvetësimi i njohurive është një proces përmes të cilit grumbullohen informatat që i marrin gjatë ndërveprimit të tyre me botën e jashtme me qëllim që të përfshihen në mënyrë aktive në zgjidhjen e problemeve, si dhe rritjen e ndjenjës së tyre ndaj të menduarit kritik.
Njohuritë e reja që fëmijët i kanë nxënë janë baza për aktivitetet e tyre të përditshme. Stimulimi i zhvillimit kognitiv është baza për suksesin që fëmijët do ta arrijnë në procesin e mëtejshëm arsimor. Zhvillimi kognitiv nuk është një proces i izoluar, ai varet nga shkalla e zhvillimit të fushave të tjera të zhvillimit.
Zhvillimi kognitiv tek fëmijët e moshës prej 6 deri në 7 vjeç
-
- Kryen një seri prej 3 kërkesash
- I kupton nocionet: e njëjtë, e ndryshme, stinë e vitit, periudhë e ditës
- E kupton dallimin midis realitetit dhe fantazisë
- Parashikon, miraton vendime të justifikuara, ofron zgjidhje dhe shpjegime
- I klasifikon sendet sipas karakteristikave më konkrete (p.sh. forma, ngjyra, përdorimi ose përbërja – nga çfarë është bërë)
- Ka të zhvilluar lateralizim të trupit – majtas / djathtas
- Zhvillohet aftësia për të shkruar, mund të shkruajë disa fjalë, të kopjojë fjalë të tjera
- Lexon libra të thjeshtë
- Shkruan dhjetë fjalë ose më shumë
- Mund t’i parashikojë ngjarjet që pasojnë
- Mund të numërojë deri në 20
- E di se çfarë është e plotë dhe çfarë është gjysmë
- E zhvillon aftësinë për të menduar mbi disa gjëra në të njëjtën kohë
- E kupton përdorimin e simboleve në matematikë, shkrim, etj.
- E shfaq kureshtjen mbi sendet, ngjarjet, fenomenet dhe veprimet në mjedisin e tij.
Shënim:
-
- Kjo listë mbi kontrollimin e aftësive të fituara i referohet zhvillimit “tipik” të fëmijëve të një moshe të caktuar. Çdo fazë e zhvillimit supozon se aftësitë nga fazat e mëparshme janë arritur.
- Kjo listë shërben për të kontrolluar funksionalitetin e fëmijës në një fushë të caktuar të zhvillimit, në një moshë të caktuar, por kjo nuk mund të përdoret për vlerësim, dhe as nuk e reflekton kërkimin e standardizuar në mënyrë rigoroze.
- Kjo listë mbi kontrollimin mund të përdoret nga prindërit ose mësimdhënësit për të parë nëse fëmija ka fituar aftësi që janë karakteristike për një moshë të caktuar. Nëse ka vonesa të dukshme të zhvillimit te ndonjë fëmijë i caktuar, rekomandohet të konsultoheni me personat profesionalë të cilët do ta përcaktojnë nevojën për mbështetjen adekuate të fëmijës.