ÇFARË ËSHTË BRAIN GYM®?
Brain Gym® është programi që përmban aktivitete / lëvizje të cilat mundësojnë lidhje midis hemisferës së djathtë dhe të majtë të trurit. Është zhvilluar në vitet e ’70-ta nga Paul Dennison, Ph.D., i cili kërkoi të gjente qasje më efektive në punën me nxënësit të cilët manifestojnë vështirësi në të mësuar. Metoda Brain Gym realizohet nga personat profesionalë të cilët kanë mbaruar trajnimin përkatës nga instruktorët / konsulentët e licencuar të Brain Gym.
Kurset Brain Gym kategorizohen në 5 nivele
-
- Niveli 100. Kurset për nivelin themelor / hyrës
- Niveli 200. Kurset për nivelin e mesëm
- Niveli 300. Kurset për nivelin e avancuar
- Niveli 400. Kurset për nivelin profesional
- Niveli 500. Kurset për instruktorë / konsulentë
Qasja e kësaj metode bazohet në tri parime themelore:
-
- Të mësuarit është një proces i natyrshëm, një aktivitet i këndshëm që zhvillohet gjatë gjithë jetës;
- ‘Blloqet’ shfaqen në të mësuar për shkak të pamundësisë për të tejkaluar stresin dhe mosnjohjen e detyrave të reja;
- Të gjithë njerëzit kanë ‘blloqe’ sepse nuk dimë si të lëvizim (Dennison, 2007)
Programi është i bazuar në kornizën e Kineziologjisë Edukative në të cilën me ndihmën e përvojave të lëvizjes natyrore arrihet integrimi i trupit dhe mendjes. Përbëhet nga 26 lëvizje. Këto lëvizje / aktivitete shkaktojnë të ashtuquajturin aktivizim, përkatësisht zgjim të trurit për të pranuar informata të reja, përkatësisht mësim të ri. Përmes lëvizjeve, individët i aktivizojnë të dy hemisferat e trurit, duke mundësuar koordinimin e syve, krahëve dhe të gjithë trupit, me këtë edhe promovimin e të mësuarit të përgjithshëm. Lëvizjet ndahen në katër grupe.
-
- lëvizjet që ndihmojnë leximin, shkrimin, dëgjimin dhe të folurit;
- lëvizjet që ndihmojnë proceset e planifikimit dhe organizimit;
- lëvizjet që ndihmojnë proceset e bashkëpunimit, lojës dhe punës dhe
- lëvizjet që ndihmojnë vëmendjen e përqendruar.
Aktivitetet ndikojnë mbi aftësitë akademike, analizën e zërit, shkrimin, leximin me të kuptuar, ndjekjen e urdhëresave, dekodimin dhe kodimin e simboleve të shkruara, ndjekjen e orarit të numrave dhe aftësitë e tjera matematikore, dhe të ngjashme.
BRAIN GYM DHE NXËNËSIT ME VËSHTIRËSI NË TË MËSUAR
Ky program për fëmijët, përkatësisht nxënësit me vështirësi në të mësuar realizohet me qëllim të integrimit të trupit dhe mendjes, përmirësimit të vëmendjes së përqendruar, përmirësimit të kujtesës dhe procesit të leximit, shkrimit, dëgjimit, përmirësimit të koordinimit dhe organizimit të trupit. Nëse e marrim parasysh faktin që truri i njeriut është i lidhur dhe i rregulluar për të kryer detyra, përmes këtyre lëvizjeve arrihet një lidhje në tri dimensione, si në vijim
-
- Lidhja e hemisferës së majtë dhe të djathtë (dimensioni lateral)
- Përqendrimi i dimensionit (lidhja e qendrave të kores trunore dhe pjesëve frontale të trurit)
- Dimensioni qendror (lidhja e qendrave në sistemin limbik dhe korteksin cerebral)