Arsimi inkluziv
Arsimi inkluziv është një proces nëpërmjet të cilit u dilet në ndihmë dhe u përgjigjet nevojave të ndryshme të fëmijëve, të rinjve dhe të rriturve. Kjo nënkupton rritjen e pjesëmarrjes në mësim, në shkollë dhe në komunitet nëpërmjet përshtatjes së arsyeshme të përmbajtjeve arsimore, zbatimit të qasjeve, organizimit dhe strategjive të ndryshme për të mundësuar arsim cilësor për të gjithë. Arsimi inkluziv do të thotë që të gjithë fëmijët përfshihen dhe pranohen, me vëmendje të veçantë ndaj fëmijëve që mund të jenë të margjinalizuar, diskriminuar ose të përjashtuar nga sistemi arsimor. Ata përfshihen në klasat e rregullta dhe u sigurohen kushte të përshtatshme për të mësuar, avancuar dhe për të marrë pjesë në jetën shkollore.
Arsimi inkluziv themelohet në qasjen e bazuar në të drejtat e njeriut të përcaktuara nga Konventa e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara dhe Konventa e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Fëmijëve.
Për të ndërtuar një shkollë inkluzive, është e nevojshme që procesi edukativo-arsimor të bazohet në modelin e ndërhyrjeve për mbështetje në shumë nivele. Ky model përfshin ndërhyrjet në planin mësimor dhe programet mësimore, strategjitë, aktivitetet dhe materialet mësimore, si dhe ndjekjen e vazhdueshme të procesit të zbatimit të ndërhyrjeve.