Çrregullimet motorike janë rezultat i funksionimit në mënyrë jo të duhur të sistemit nervor që shkakton lëvizje të pavullnetshme ose të pakontrolluara të trupit. Këto çrregullime mund të shkaktojnë pamundësi të lëvizjes vullnetare ose prani të lëvizjeve shoqëruese jovullnetare. Çrregullimi motorik ndikon mbi kontrollin e lëvizjes së muskujve, që shpesh e kufizon lëvizjen. Fëmijët me çrregullime motorike mund të kenë vështirësi me: lëvizjen e pjesëve të trupit ose të gjithë trupit, të folurit dhe komunikimin joverbal (shprehjet e fytyrës jo gjithmonë i zbulojnë emocionet e vërteta – respektivisht fëmija mund të duket se është i qeshur, por është shumë i zemëruar ose i pikëlluar). Tek fëmijët, shpesh vërehen lëvizje të muskujve (ngërçeve) të pavullnetshme, dobësi ose shtrëngim të muskujve, vështirësi në ruajtjen e ekuilibrit, si dhe në koordinimin e syve dhe të duarve. Ata shpesh mund të jenë të ngathët, goditen nga sendet (inventari) në mjedisin e drejtpërdrejtë, të pengohen ose të bien, ose kanë vështirësi në koordinimin e muskujve gjatë aktivitetit, kanë vështirësi në ndërveprimin social me fëmijët e tjerë (dhe të rriturit), kanë vështirësi t’i kushtojnë vëmendje, si dhe vështirësi në zhvillimin kognitiv dhe të të folurit.
Lëvizshmëria mund të dëmtohet nga një numër faktorësh. Disa janë të përhershme, të tjerët janë të natyrës së përkohshme. Dëmtimet gjithashtu mund të ndikojnë përkohësisht ose përgjithmonë në lëvizjen.
Këta fëmija kanë më shumë vështirësi në të mësuar. Para se të pranohen në procesin e arsimit gjithëpërfshirës, është e nevojshme që shkolla të jetë e përgatitur në mënyrë teknike dhe me kuadër, ndërsa mësimdhënësi të jetë i durueshëm dhe i matur në kërkesat.
Çfarë duhet të sigurojë shkolla për nxënësit me çrregullime motorike?
-
- Hyrja në shkollë duhet të jetë e përbashkët për të gjithë nxënësit, duke i përfshirë edhe nxënësit me çrregullime motorike;
- Hyrjet duhet të kenë edhe rampë të qasjes që do të jetë mjaft e gjerë për fëmijët me karrocë invalidi;
- Rrugët dhe korridoret duhet të jenë mjaft të gjera dhe të mundësojnë lëvizjen e nxënësit me çrregullime motorike;
- Në korridoret duhet të vendosen parmakë, të cilat do të lehtësonin lëvizjen e këtyre fëmijëve;
- Dyert e klasave duhet të hapen lehtë, përkatësisht dorezat e dyerve duhet të korrespondojnë me moshën dhe aftësinë e kufizuar të fëmijëve;
- Tualetet duhet të jenë të arritshme dhe të përshtatura (mjaft të gjera, të kenë parmakë, me guacë të përshtatshme tualeti) për fëmijët me karrocë invalidi;
- Mobiliet në klasë nuk duhet të jenë fikse, por të lëvizshme, gjë që do të siguronte organizim më të mirë të hapësirës gjatë kryerjes së aktiviteteve me fëmijën me vështirësi motorike;
- Karriget dhe bankat duhet të jenë me lartësi të përshtatshme, në përputhje me moshën e fëmijës;
- Duhet të ketë hapësirë të mjaftueshme midis bankave;
- Dyshemeja në shkollë duhet të jetë prej materialit që nuk rrëshqet;
- Dërrasa dhe raftet duhet të jenë të arritshme për të gjithë fëmijët, duke i përfshirë edhe fëmijët në karrocë invalidi.
Rekomandimet kur punoni me nxënës me çrregullime motorike
-
- Të pranuarit e nxënësit në grup.
Mësimdhënësi duhet të krijojë veprimtari të përbashkëta ku nxënësit e tjerë do të ndihmojnë fëmijën me çrregullime motorike për t’i kryer ato. Mësimdhënësi gjithashtu duhet ta organizojë orarin e uljes së nxënësve në grupe. Kur nxënësve u lejohet të zgjedhin vendin e tyre të uljes, gjithmonë ka ndarje në klasë. Nxënësit me aftësi të kufizuara motorike shpesh kanë vetëbesim të ulët dhe zgjedhin të ulen në këndin e pasmë. Kjo është arsyeja pse mësimdhënësi i lidh nxënësit me çrregullime motorike me nxënësit me zhvillim tipik në mënyrë që të përmirësojë pranimin e tyre.
-
- Materialet e punës të jenë të arritshme për nxënësin me çrregullime motorike.
Modifikimi i materialeve mund të ketë ndikim të madh në pavarësinë e nxënësve me çrregullime motorike. Kështu, për shembull, që të mund nxënësi me çrregullime motorike të shkruajë në mënyrë të pavarur është mirë të shtohen kapësat e lapsave dhe ngjyrave që do t’i mbajë dhe përdor më mirë. Gjithashtu, sigurimi i mjeteve të përshtatshme ndihmëse teknike (teknologjia asistive) për zhvillimin e vazhdueshëm të mësimit është i domosdoshëm.