Çfarë është dëmtimi i shikimit?
Dëmtimi i shikimit është aftësia e zvogëluar për të parë deri në shkallën që shkakton probleme të perceptimit vizual që nuk mund të përmirësohen me mjete të zakonshme, siç janë syzet.
Dëmtimi i shikimit mbulon një gamë të gjerë të gjendjeve që lidhen me funksionin vizual: nga mungesa e plotë e shikimit (verbëri), ulja e funksionit të shikimit (shikimi i dobët), deri në pamundësinë për t’i dalluar ngjyrat e caktuara.
Shkaqet për dëmtimin e shikimit
Dëmtimi i shikimit mund të ndodhë në çdo moshë. Gjendjet e caktuara të dëmtimit të shikimit tek fëmijët mund të mbeten të pandryshuara gjatë gjithë jetës, ndërsa disa gjendje mund të rezultojnë me vështirësi në shikim vetëm për një kohë të shkurtër, ose mund të përkeqësohen me kalimin e kohës.
Dëmtimi i shikimit mund të ndodhë që në lindje. Mund të ndodhë, gjithashtu, më vonë si rezultat i sëmundjes, lëndimit ose gjendjes mjekësore.
Shkaqet më të shpeshta të dëmtimit të shikimit janë:
-
- gjendjet neurologjike që ndikojnë në pjesët e trurit që e kontrollojnë shikimin;
- gjendjet gjenetike si albinizmi dhe Retinitis Pigmentosa;
- sëmundjet që ndodhin tek disa foshnje të lindura parakohe ose si rezultat i ndërlikimeve gjatë lindjes;
- gjendjet e tilla si glaukoma e fëmijëve ose kataraktet dhe kancinomi si retinoblastom;
- infeksionet gjatë shtatzënisë (rubeola, citomegalovirusi, infeksionet e transmetueshme seksualisht, toksoplazmoza, etj.);
- ndryshimet strukturore të syve që e kufizojnë shikimin (mikroftalmia ose anoftalmia);
- dëmtimi ose lëndimi i syrit, nervit të syrit ose qendrës së shikimit në tru.
Shenjat dhe simptomat e hershme të dëmtimit të shikimit
Fëmijët me shikim të dëmtuar mund të kenë pamje të pastër të syve. Shenjat që mund të tregojnë dëmtim të shikimit më shpesh mund të vërehen në sjelljen e fëmijës ose mënyrën se si shikon.
Shumica e foshnjave fillojnë të përqendrohen në personat dhe sendet në moshën 4-5 javë. Në moshën rreth 6-8 javë, shumica e foshnjave fillojnë të buzëqeshin me personat e njohur dhe sendet që i shohin. Nëse këto shenja zhvillimore mungojnë, mund të shfaqen dyshime për shikim të dëmtuar tek fëmija. Shenja të tjera që tregojnë se foshnja mund të ketë problem me shikimin janë:
-
- lëvizja e shpejtë e syve nga njëra anë në tjetrën (nistagmus);
- sytë nuk e ndjekin lëvizjen e personit para tij ose sendit që lëviz në fushën e tij të shikimit;
- fëmija nuk vendos kontakt me sy me anëtarët e familjes dhe miqtë;
- sytë nuk reagojnë ndaj ndezjes së dritës në dhomë.
- Tek fëmijët më të rritur mund të vërehen këto shenja që mund të tregojnë vështirësi me shikimin:
- fëmija i afron sendet afër fytyrës së tij;
- shpesh i fërkon sytë dhe thotë se është i lodhur;
- e kthen ose e anon kokën anash ose e mbulon njërin sy kur i shikon sendet nga afër;
- lodhet shpejt kur lexon, vizaton ose luan lojëra;
- jep përshtypjen se sheh më mirë ditën sesa natën;
- jep përshtypjen se është i ngathët.
Diagnoza e dëmtimit të shikimit
Vendosja e diagnozës është hapi i parë drejt dhënies së ndërhyrjes së duhur. Nëse prindërit shqetësohen për shikimin e fëmijës së tyre, duhet së pari të konsultohen me mjekun amë ose pediatrin, i cili do ta bëjë kontrollin e parë. Nëse ka indikacione, mjeku amë ose pediatri do t’i udhëzojnë prindërit tek specialisti – oftalmologu. Oftalmologu do ta kontrollojë fëmijën dhe do t’i kryejë të gjitha kontrollet e nevojshme për të zbuluar dëmtimin e mundshëm të shikimit. Oftalmologu do të vendosë diagnozë ose do ta përjashtojë ekzistimin e problemit me shikimin.
Vështirësitë me të cilat përballet fëmija me shikim të dëmtuar
Dëmtimi i shikimit mund të ndikojë në shumë fusha të zhvillimit të fëmijës, madje edhe në fushat që prindërit nuk i presin.
Fëmija me dëmtim të shikimit mund të përballet me sfida gjatë:
-
- Komunikimit me persona të tjerë. Fëmija mund të ketë vështirësi të shikojë kur dikush ia bën me dorë ose i buzëqesh ose mund të mos jetë në gjendje të bëjë kontakt me sy.
- Të luajturit dhe shoqërimit me moshatarët. Fëmija mund të jetë i ngathët, mos të mund të lexojë sinjale dhe gjeste joverbale, të ndjehet i pasigurt kur është në rrëmujë ose të ketë vështirësi në shoqërimin me moshatarët.
- Zhvillimit të të folurit. Nëse fëmija nuk i shikon sendet, ka të ngjarë që shumë prej tyre nuk do të mësojnë t’i emërtojnë, dhe kjo do të ndikojë ndjeshëm në vëllimin e fjalorit (fondin e fjalëve).
- Të vërejturit e dallimit midis ditës dhe natës.
- Të ulurit, të zvarritjes dhe të ecurit. Fëmija mund të mos përpiqet të lëvizë, sepse nuk mund t’i shikojë sendet përreth tij.
- Të mësuarit që të lexojë dhe të shkruajë.
- Të luajturit. Fëmija mund të ketë frikë të prekë tekstura të caktuara ose të kërkojë fusha që nuk mund t’i shikojë.
Nëse dëmtimi i shikimit është më i madh ose fëmija është i verbër, fusha të caktuara të zhvillimit dhe të të mësuarit pritet të jenë më të ngadalshme sesa tek fëmijët e tjerë.
Ndërhyrja e hershme mund t’i ndihmojë fëmijës me shikim të dëmtuar ta arrijë potencialin e tij të plotë.
Nxënësi me shikim të dëmtuar
Dëmtimi i sistemi vizual tek nxënësit ndikon në aftësinë e tyre për të mësuar. Nëse në klasë ka të përfshirë nxënës me shikim të dëmtuar, do të duhet të sigurohen kushtet e përshtatshme, plani dhe programi për të punuar me ta.
Sigurimi i mjedisit përkatës
-
- Me qëllim që t’u jepet një mundësi e barabartë nxënësve me shikim të dëmtuar për të pasur sukses në klasë, duhet të ulen gjithmonë pranë dërrasës së zezë, përkatësisht afër mësimdhënësit. Gjatë mësimdhënies, mësimdhënësi duhet të qëndrojë afër nxënësit me shikim të dëmtuar në mënyrë që ta dëgjojë më mirë.
- Nxënësit me shikim të dëmtuar shpesh kanë probleme me ndjeshmërinë e dritës, prandaj ata duhet të ulen larg dritares. Drita duhet të shpërndahet në mënyrë të barabartë në të gjithë dhomën për një efekt vizual optimal.
- Është e nevojshme të lini hapësirë të mjaftueshme midis tavolinave të punës, karrigeve, dollapëve dhe rafteve. Kjo do t’ua bëjë më të lehtë që të lëvizin nëpër klasë pa u lënduar nga sendet e ndryshme që ndodhen në shkollë.
- Dyert dhe sirtarët e dollapit duhet të jenë gjithmonë të mbyllura dhe karriget të vendosen në mënyrë të duhur nën bankat dhe tavolinat e punës.
- Pasi të keni krijuar orarin e klasës në fillim të vitit shkollor, lini mobiliet në të njëjtin vend. Nxënësit me shikim të dëmtuar do ta mësojnë orarin dhe do të jenë në gjendje të lëvizin të sigurt nëpër klasë. Rregullimi i mobilieve në klasë mund t’i hutojë këta nxënës dhe të shtojë stres të panevojshëm në mjedisin e tyre për të mësuar.
- Nxënësve duhet t’u shpjegohet se ku janë materialet në klasë. Për shembull, nëse ngjyrat ndodhen afër dërrasës së zezë të klasës, nxënësve me shikim të dëmtuar duhet t’u jepen udhëzime të qarta nga vendi i tyre ku janë ulur që ku të lëvizin për të arritur te materiali që i nevojitet. P.sh. “Ngjyrat janë pesë hapa në të majtë të bankës sate, në raftin e parë të dollapit afër dërrasës”.
Sigurimi i mësimit përkatës
-
- Përdorni mjete vizuale dhe teknologji asistive për të siguruar pavarësinë maksimale dhe suksesin e të mësuarit për nxënësin me shikim të dëmtuar.
- Shpjegoni të gjitha përmbajtjet vizuale. Tek nxënësit me shikim të dëmtuar, është e rëndësishme të shpjegohen qartë materialet vizuale. Për shembull, nëse jeni duke treguar fotografi, duhet ta përshkruani fotografinë. Mund të thoni: “E vendosa fotografinë e Anës në shtëpinë e gjyshes së saj në fshat, për ta ilustruar mënyrën se si ajo përshkruhet në tekst. Ajo ka sy blu, flokë të gjata kafe…, shtëpia është prej guri… etj.” Kur përshkruani diçka, përfshini detaje të tilla si ngjyra, tekstura, forma dhe tipare;
- Diktojeni atë çfarë shkruani në dërrasë. Në këtë mënyrë nxënësit që nuk janë në gjendje ta shohin dërrasën mund ta ndjekin tymin dhe të mbajnë shënime.
- Gjithmonë jepni udhëzime me gojë. Nxënësit me shikim të dëmtuar mund të kenë vështirësi të shohin ato që shkruhen në dërrasë ose në fletë pune (libër shkollor, etj.) dhe mund të mos kuptojnë se çfarë pritet prej tyre. Në vend të kësaj, gjithmonë duhet të jepni udhëzime me gojë për secilën detyrë dhe aktivitet.
- Kërkojuni nxënësve të duartrokasin për të bërë pyetje. Shumë klasa mbështeten në shenja vizuale për të bërë pyetje ose për të tërhequr vëmendjen e mësimdhënësit. Ngritja e dorës nëse duan të flasin gjatë orës së mësimit nuk është e mundshme për nxënësit me shikim të dëmtuar pasi mund të mos vërejnë kur bashkëmoshatarët e tyre i ngrenë duart. Në vend të kësaj, duhet t’i zëvendësoni sinjalet vizuale me sinjale audio. Për shembull, mund të dakordoheni që nxënësit të duartrokasin dy herë nëse duan të bëjnë pyetje, të duartrokasin një herë nëse duan të shkojnë në tualet, etj.
- Përvojat taktile për të mësuar. Kur ligjëroni mësime të reja, për nxënësit me shikim të dëmtuar duhet të provoni dhe të përfshini përvoja taktile për të mësuar kur është e mundur. Për shembull, në vend që të flisni për bimët dhe të tregoni fotografi të llojeve të ndryshme të bimëve, në të vërtetë duhet të keni shembuj të bimëve në klasë dhe t’u mundësoni nxënësve t’i prekin, nuhasin, ndoshta t’i shijojnë dhe ta ndiejnë atë me një fjalë. Kjo do t’u mundësojë nxënësve t’i hulumtojnë dhe të mësojnë pa u mbështetur vetëm në shikimin.
- Kur keni nxënës me dëmtime të shikimit, programi mësimor duhet t’i përmbush nevojat e nxënësit. Për shembull. në orët e mësimit për arsimin figurativ mund të punoni me argjilë ose plastelinë në vend që të vizatoni.
- Thirrni të gjithë nxënësit me emër. Nxënësit me shikim të dëmtuar nuk mund ta dinë gjithmonë kush po flet. Kjo është arsyeja pse gjithmonë duhet t’u drejtoheni nxënësve me emër kur i thirrni të përgjigjen ose të bëjnë pyetje. Në këtë mënyrë nxënësi me shikim të dëmtuar mund të mësojë t’i njohë miqtë e tij bazuar në tingullin e zërit të tyre.
- Jepuni kohë shtesë për ta kryer punën. Nxënësve me shikim të dëmtuar mund t’u duhet kohë shtesë për t’i kryer detyrat dhe testet e tyre. Kjo zakonisht është kështu, sepse leximi i Letrës së Brait mund të kërkojë kohë shtesë.
- Silluni në mënyrë të barabartë me të gjithë nxënësit tuaj. Megjithëse duhet të bëni disa ndryshime në mënyrën e zhvillimit të mësimit për nxënësit me shikim të dëmtuar, rregullat e klasës dhe pritjet e sjelljes duhet të vlejnë për të gjithë nxënësit.