Shumica e informatave nga mjedisi i jashtëm merren nga njerëzit përmes sistemit vestibular (ndjenja e ekuilibrit) i vendosur në veshin e brendshëm, pastaj përmes receptorëve në muskuj, kyçeve (sistemi proprioceptiv) dhe përmes receptorëve në lëkurë (sistemi taktil). Sistemi vizual dhe auditiv, megjithëse janë shumë të rëndësishme, sigurojnë një pjesë më të vogël nga hyrja e informatave.
Sjelljet e papranueshme sociale të manifestuara tek nxënësit me çrregullime të zhvillimit, përfshirë edhe autizmin si formën më të rëndë të tyre, lidhen kryesisht me burimet e informatave ndijore. Sjelljet si lëkundja, rrotullimi dhe kërcimi mendohet se janë përpjekje të personit me autizëm për të organizuar informata nga mjedisi i jashtëm dhe në njëfarë mënyre kanë efekt qetësues.
Nga ana tjetër, goditja e personit që afrohet, mbulimi i veshëve ose sulmi i zemërimit si përgjigje e tingujve të caktuar, tregojnë ndjeshmëri ekstreme dhe selektive ndaj stimulimit që vjen nga mjedisi i drejtpërdrejtë.
Duket shumë e pazakontë, por disa nxënës mund të kërkojnë në mënyrë aktive lloje të caktuara të stimulimit, ndërsa nga ana tjetër, mund të tremben kur hasin një zhurmë të lehtë ose teksturë të panjohur të veshjeve ose ushqimit.
Sidoqoftë, këto sjellje konfuze duken mjaft të kuptueshme kur shihen në kontekstin e përpunimit të dëmtuar ndijor.
Përpunimi ndijor i informatave fillon me procesin e stimulimit ndijor, i cili është një grup sendesh dhe aktivitetesh që ndikojnë mbi një ose më shumë shqisa. Stimulimi ndijor duhet të fillojë që në lindje. Përmes stimulimeve ndijore, truri merr informata ndijore. Informatat përpunohen dhe krijohet pasqyra e asaj që paraqitet. Procesi neurologjik në të cilin organizohen informatat ose stimujt ndijorë nga trupi i vet dhe mjedisi i jashtëm dhe i cili na mundëson të përdorim trupin në mjedis me efikasitet është integrimi ndijor.
Në fakt, duke marrë informata të ndryshme, ne njihemi me mjedisin në të cilin ndodhemi dhe reagojmë në mënyrë të përshtatshme ndaj situatave. Mënyra më e mirë e stimulimit ndijor është kur dy ose më shumë shqisa aktivizohen në të njëjtën kohë. Atëherë krijohet një fotografi (engram) më e plotë në tru dhe si e tillë është më lehtë të mësosh përmendësh. Informatat që përpunohen dhe integrohen në sistemin nervor qendror përdoren për të planifikuar dhe organizuar sjelljen. Anomalitë në procesin e integrimit të informatave ndijore çojnë në vështirësi në të mësuarit konceptual dhe motorik.
Qëllimet e ndërhyrjeve në integrimin ndijor janë:
-
- Për të ndihmuar personin të arrijë gjendje të vigjilencës paqësore. Anksioziteti dhe shqetësimi i lartë si rezultat i mbindjeshmërisë çojnë që personi të funksionojë në nivel të lartë të vigjilencës, gjë që e bën të vështirë, madje edhe të pamundur t’i kushtojë vëmendje detyrës që i ofrohet.
- Për të përmirësuar mundësinë e organizimit të stimujve në informatat. Njohja e duhur e trupit, si lëviz dhe çfarë pozicionesh mund të marrë në hapësirë, është e nevojshme për t’i zotëruar aftësitë e reja motorike. Planifikimi motorik është një rezultat shumë i rëndësishëm i organizimit senzomotorik.
- Përvetësimi i koncepteve që qëndrojnë në themel të të mësuarit, dhe kjo mund të ndodhë njëkohësisht me arritjen e dy qëllimeve të para. Konceptet janë mjeti i të menduarit dhe varen në një masë të madhe nga hyrja ndijore, veçanërisht nga informatat kthyese që i marrim përmes lëvizjes. Konceptet e tilla janë sipër, poshtë, midis, përmes, të shpejtë, të ngadalshëm dhe mësohen natyrshëm, në kontekstin e vrapimit gjatë lojës ose aktiviteteve të tjera të zakonshme ditore.
Ndërhyrjet kryhen nga specialistët që i janë nënshtruar trajnimit të certifikuar në pajtim me teorinë e zhvilluar nga dr. A. Jean Ayres, terapist amerikan i punës, psikolog i arsimuar dhe përfaqësues i të drejtave të personave me aftësi të kufizuara.