Klasifikimi Ndërkombëtar i Funksionimit,
Aftësisë së Kufizuar dhe Shëndetit
Reforma e procesit të vlerësimit të nevojave të personave me aftësi të kufizuara u iniciua nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale së bashku me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës me qëllm që të sigurojë gëzimin e të drejtave të njëjta të personave me aftësi të kufizuara, si dhe të gjithë personave të tjerë.
Pse nevojitet ndryshimi i modelit të vlerësimit?
Vetëm gjendja shëndetësore nuk mund t’i shpjegojë plotësisht kufizimet e pjesëmarrjes. Për shembull, një fëmijë me paralizë cerebrale i cili përdor karrocë mund të përjetojë kufizime të konsiderueshme të pjesëmarrjes në një ambient të rregulluar në shtëpi, por mund të përballet me kufizime të plota të pjesëmarrjes në shkollë për shkak të mungesës së rampave të hyrjes, tualetit të përshtatshëm dhe qëndrimeve negative të mjedisit të afërt.
Deri më tani, në vendin tonë nuk kishte asnjë sistem / protokoll të vetëm për identifikimin e aftësisë së kufizuar. Sektori social, shëndetësor dhe arsimor duhet të punojnë së bashku në mënyrë sistematike për të rritur shkallën e identifikimit të fëmijëve me aftësi të kufizuara në moshë të re. Për këtë qëllim, është hartuar një model i ri për vlerësimin e nevojave të fëmijëve dhe personave me aftësi të kufizuara, në përputhje me Klasifikimin Ndërkombëtar të Funksionimit, Aftësisë së Kufizuar dhe Shëndetit (KNF).
Çfarë është KNF-ja?
KNF-ja është një kornizë për organizimin dhe dokumentimin e informatave mbi funksionimin dhe aftësinë e kufizuar. Si pjesë e familjes së klasifikimeve ndërkombëtare të OBSH-së, KNF-ja siguron një kornizë për kodimin e të gjitha informatave mbi funksionimin, shëndetin dhe aftësinë e kufizuar, duke përdorur një gjuhë të përbashkët të standardizuar. Kjo mundëson komunikim të përsosur në një larmi disiplinash dhe shkencash në të gjithë botën.
KNF-ja është një klasifikim komplementar i Klasifikimit Ndërkombëtar të Sëmundjeve (KNS) dhe kështu ndihmon për t’i shpjeguar dallimet midis gjendjeve shëndetësore (sëmundjet, çrregullimet, dëmtimet dhe gjendjet e ngjashme me to) dhe aftësisë së kufizuar.
Modeli i ri përqendrohet në vlerësimin e asaj që një person mund të arrijë nëse bëhet fjalë për zhvillimin e potencialit të tij / të saj.
KNF-ja i klasifikon informatat mbi funksionimin dhe aftësinë e kufizuar, nuk i kategorizon fëmijët dhe të rinjtë me aftësi të kufizuara, nuk vendos diagnozë. Përdor një qasje bio-psiko-sociale për të kuptuar aftësinë e kufizuar dhe kështu e integron qasjen mjekësore dhe sociale të vlerësimit.
Zhvillimi i potencialit në kombinim me mënjanimin e kufizimeve mjedisore do të mundësojë pjesëmarrjen aktive dhe të plotë në shoqëri. Prandaj është e rëndësishme të identifikohen dhe përcaktohen nevojat për mbështetjen shtesë arsimore, shëndetësore dhe sociale të çdo fëmije apo personi të ri me aftësi të kufizuara, me qëllim që të arrijnë potencialin e tyre.
Zbatimi i KNF-së
Procesi i zbatimit të vlerësimit funksional sipas KNF-së në vendin tonë filloi në prill 2019. Gjatë kësaj periudhe të pilotimit, u formuan dy Trupa Profesionale të Vlerësimit, të koordinuara nga Trupi Profesional Kombëtar.
Secili prej Trupave Profesionale përbëhet nga katër anëtarë të përhershëm:
- Mjeku
- Psikologu
- Edukatori dhe rehabilitatori special
- Punëtori social
Përveç anëtarëve të përhershëm, Trupi Profesional ka edhe anëtarë të përkohshëm (ortoped, fiziatër, psikiatër, neurolog, oftalmolog, logoped, etj). Numri i anëtarëve të përkohshëm ndryshon në varësi të nevojave të fëmijës.
Anëtarë të përkohshëm të Trupit Profesional janë edhe prindërit e fëmijës dhe një person i besuar i cili do të zgjidhet nga vetë prindërit. Person i besuar mund të jetë personi që punon drejtpërdrejt me fëmijën dhe mund të japë inspektim në gjendjen shëndetësore, psikike, fizike, etj., të fëmijës (mësimdhënësi, psikologu ose pedagogu i shkollës, fizioterapisti, edukatorja e kopshtit të fëmijëve, kujdestari, anëtari i familjes, etj.)
Përveç dy Trupave Profesionale të Vlerësimit Funksional në Shkup, në periudhën e ardhshme do të themelohen edhe shtatë Trupa Profesionale të Vlerësimit në vend.
Në modelin e ri të vlerësimit:
-
- Anëtarët e trupave profesionale janë persona të punësuar profesionalisht.
- Futen format standarde për punën e të gjitha trupave profesionale.
- Futet evidenca elektronike qendrore për punën e trupave profesionale.
Identifikimi / Kërkesa për fillimin e procedurës së vlerësimit
Identifikimi i një “problemi” të caktuar në funksionimin e fëmijës mund të ndodhë në mënyra të ndryshme dhe nga njerëz të ndryshëm (prindër, të afërm, edukatorë, mësimdhënës, mjeku amë, ndonjë fqinj, etj.).
Çdokush mund t’i inkurajojë prindërit të fillojnë procesin e vlerësimit, por vendimin përfundimtar dhe caktimin e vlerësimit e miratojnë prindërit / kujdestarët e fëmijës.
Vlerësimi i nevojave të fëmijës për mbështetjen shtesë bëhet me kërkesë të prindërve ose kujdestarëve të fëmijës, por mund të bëhet edhe me detyrë zyrtare (me iniciativë të shkollës, kopshtit të fëmijëve, dhënësve të shërbimeve sociale), me pëlqimin e prindërve ose kujdestarëve.
Kërkesa për ngritjen e procedurës së vlerësimit përmban:
- të dhënat personale për fëmijën (emrin dhe mbiemrin, numrin unik të identifikimit, datën dhe vendin e lindjes, vendbanimin)
- emrin dhe mbiemrin e prindërve ose kujdestarëve të fëmijës dhe të dhënat e kontaktit (nëse fëmija akomodohet në institucion për mbrojtje sociale dhe informatat e institucionit)
- shkaqet dhe arsyetimin për fillimin e procedurës së vlerësimit.
Informatat tjera të rëndësishme
- Trupi Profesional inicon takim me prindin ose kujdestarin dhe i pranon dokumentet.
- Dokumentet i dorëzohen Trupit Profesional nga prindërit ose kujdestari në formë letre ose dërgohen në mënyrë elektronike para takimit.
- Prindi nënshkruan deklaratë pëlqimi për shkëmbimin e të dhënave për të gjithë personat e përfshirë në procesin e vlerësimit dhe zbatimit të rekomandimeve.
- Njëri nga anëtarët e përhershëm caktohet të jetë person përgjegjës për vlerësimin.
- Personi përgjegjës për vlerësimin kujdeset që të zbatohen të gjitha procedurat e nevojshme dhe që informatat përkatëse të mblidhen dhe të paraqiten në mënyrë adekuate si konstatim dhe mendim.
- Prindi ose kujdestari merr pjesë në punën e Trupit Profesional dhe i siguron të gjitha informatat në lidhje me fëmijën ose të riun, që janë relevante për punën e Trupit Profesional.
Si zbatohet vlerësimi?
Fëmija vjen në terminin e caktuar në Qendrën e Vlerësimit Funksional në prani të njërit ose të dy prindërve. Prindërit më parë e kanë dorëzuar dokumentacionin mjekësor. Gjatë periudhës së vlerësimit, anëtarët e Trupit Profesional bisedojnë me prindërit dhe secili prej fushës së vet e vlerëson funksionalitetin e fëmijës. Gjatë vlerësimit, secili anëtar i Trupit Profesional punon në përputhje me rregullat brenda kompetencës së tij, si dhe standardet dhe kodet e praktikës.
Vlerësimi kryhet në hapësirat që janë të përshtatshme për të punuar me fëmijën. Përveç në Qendrën e Vlerësimit Funksional, ky mund të realizohet edhe në kopshtin e fëmijëve, shkollën, qendrën ditore, etj. Nëse është e nevojshme, mund të kryhet edhe në shtëpinë e fëmijës.
Gjatë vlerësimit, është e rëndësishme të merren informatat nga të gjitha aspektet që ndikojnë mbi pjesëmarrjen e fëmijës në jetën e përditshme, veçanërisht në lidhje me:
-
- Çfarë aktivitetesh mund të kryejë fëmija?
- Cilat janë vështirësitë që fëmija mund t’i ketë gjatë kryerjes së aktiviteteve?
- Cilat janë problemet që fëmija mund t’i përjetojë kur përfshihet në situatat e jetës?
Në bazë të informatave të marra nga vlerësimi (dokumentacioni, biseda me prindërit, observacioni i fëmijës, testet e aplikuara…), Trupi Profesional i Vlerësimit përgatit ekspertizë (konstatim dhe mendim).
Ekspertiza përmban:
-
- Përshkrimin e funksionalitetit dhe segmenteve të fëmijës që kërkojnë mbështetje shtesë;
- Qëllimet e pjesëmarrjes që duhet të arrihen me mbështetjen e fëmijës;
- Shërbimet e rekomanduara.
Në bazë të vlerësimit, Trupi Profesional përcakton qëllime për pjesëmarrje të cilat fëmija duhet t’i arrijë në një periudhë të caktuar kohore. Është theksuar qartë se kush është përgjegjës për arritjen e qëllimit të përcaktuar (kopshti i fëmijëve, shkolla, logopedi, familja, etj.).
Trupi Profesional cakton termin për rivlerësim (p.sh. 3 muaj, 6 muaj, 1 vjet, por jo më shumë se 2 vjet). Rivlerësimi kontrollon nëse qëllimet e rekomanduara janë arritur dhe vendosen qëllime të reja.
Trupi Profesional i Vlerësimit i përcakton nevojat për mbështetjen shtesë për fëmijën në fushën e:
-
- Shëndetësisë
- Arsimit
- Mbrojtjes sociale
Shëndetësia | Arsimi | Mbrojtja sociale |
|
|
|
MË ME RËNDËSI:
Fëmija do ta arrijë potencialin e tij nëse të gjithë faktorët e përfshirë në mbështetjen e tij bashkëpunojnë me njëri-tjetrin.