Niveli I – Mbështetja e përgjithshme – për këtë lloj mbështetjeje vendos shkolla në bashkëpunim me nxënësin dhe prindërit / kujdestarët e tij dhe nuk ka nevojë për një vendim zyrtar.
Mbështetja e përgjithshme sigurohet në nivelin e shkollës, dhe përveç mësimdhënësit, përfshihen edhe bashkëpunëtorët profesionalë që mbajnë evidencë për përparimin e nxënësit. Me këtë lloj të mbështetjes zakonisht përfshihen nxënësit me vështirësi në të mësuar.
Të mësuarit duhet të synojë individualizimin dhe diferencimin e procesit mësimor duke aplikuar metoda dhe mjete të përshtatshme mësimore. Zakonisht, mbështetja synon të ndihmojë për të gjetur stilin dhe praktikën personale të të mësuarit dhe të ushtruarit të teknikave të ndryshme të të mësuarit. Bëhet fjalë edhe për të përforcuar përqendrimin, memorien dhe komponentin emocional, por në një masë të madhe edhe për t’i aktivizuar proceset më të larta të mendimit.
Bashkëpunëtorët profesionalë mund t’i ndihmojnë nxënësit të zhvillojë një fotografi pozitive të vetes dhe ta përforcojë vetëbesimin, t’i zhvillojë aftësitë e të folurit dhe të komunikimit, të krijojë dhe të zhvillojë shprehi për t’u kujdesur për veten dhe për sigurinë personale, të inkurajojë dhe të zhvillojë bashkëpunim me të tjerët dhe respektin e tyre, të organizojë mësimin dhe mënyrat e të mësuarit.