Mbështetja vizuale është përmbledhje e “mjeteve” vizuale që ndihmojnë individin në funksionimin e tij të përditshëm. Mbështetja vizuale përfshin një ose më shumë paraqitje vizuale të sendeve, njerëzve, situatave, shenjave dhe / ose fjalëve për aktivitetet e planifikuara të paraqitura sipas renditjes. Ky lloj mbështetjeje mësohet gradualisht, përmes mbështetjes fizike dhe verbalizimit minimal. Përdoret për orientim më të lehtë në hapësirë dhe kohë, ndërsa qëllimi përfundimtar do të ishte pavarësia më e madhe e personit në situatat e përditshme.
Hulumtimet e shumta tregojnë se mbështetja vizuale përdoret veçanërisht nga personat me aftësi të kufizuara, përkatësisht personat me spektër autistik të çrregullimeve. Këto të dhëna janë bazë e fortë për të kuptuar perceptimin e personave me autizëm, mënyrën e tyre të të mësuarit, të mbajturit mend, të të menduarit, si dhe për planifikimin e mënyrës së të mësuarit. Mbështetja vizuale rezulton të jetë veçanërisht e suksesshme në rritjen e shpeshtësisë së sjelljeve prosociale, në organizimin e sjelljeve, bashkëpunimin me të tjerët, zhvillimin e aftësive gjuhësore dhe pavarësisë, si dhe zvogëlimin e sjelljeve të padëshiruara te personat e grupmoshave të ndryshme dhe në situata të ndryshme.
Kush ka nevojë për mbështetje vizuale?
Nevoja për mbështetje vizuale mund të ekzistojë te:
-
- Personat që e kanë më të vështirë të ndjekin urdhrat verbale
- Personat që kanë vështirësi të kuptojnë atë që përshkruhet dhe / ose tregojnë, më pas duke mos theksuar sendin dhe / ose drejtimin në të cilin duhet të lëviz
- Personat që e kanë të vështirë të qëndrojnë të fokusuar në aktivitet ose detyrë të caktuar që kryejnë
- Personat që përfshihen në tantrume të përkohshme gjatë kalimit nga njëri aktivitet në tjetrin ose nga njëri mjedis në tjetrin.
ORARET VIZUALE
Nëse diçka mund të na ndihmojë në krijimin e rutinave dhe organizimin e kohës, atëherë sigurisht që është orari i hartuar mirë i aktiviteteve. Pavarësisht nëse orari është në formën e fotografisë ose tekstit, ai na ndihmon të planifikojmë dhe organizojmë tërë ditën dhe t’i realizojmë detyrat që na janë dhënë dhe / ose që ia japim vetes. Oraret vizuale u japin personave me autizëm parashikueshmëri, ata janë shumë më të kuptueshëm sepse janë mjaft konkretë, në dallim nga të folurit i cili për këta persona është abstrakt dhe i vështirë për t’u kuptuar.
Oraret vizuale mund të përgatiten në formën e:
-
- Planit në një pjesë të ditës ose tërë ditës,
- Planit të aktiviteteve të caktuara (p.sh. aktivitetet gjatë shujtës)
- Planit të kryerjes së situatave të caktuara (p.sh. shkuarja në floktari)
- Pasqyrës së hapave për kryerjen e ndonjë aktiviteti më kompleks (p.sh. veprimi për larjen e duarve).
Rekomandohet që orari / plani të hartohet së bashku me personin me aftësi të kufizuara, përkatësisht personin me spektër autistik të çrregullimeve. Disa aktivitete zgjidhen nga ne, ndërsa disa i lihen personit t’i zgjedhë dhe ato t’i fusë në orar. Ofrimi i zgjedhjes është mjaft i rekomandueshëm, sepse e rrit motivimin për bashkëpunim të personit me prindin, mësimdhënësin, mjedisin.