Arsimi cilësor nënkupton arsimin gjithëpërfshirës, të arritshëm dhe të disponueshëm për të gjithë fëmijët / nxënësit, duke i përfshirë edhe ata me aftësi të kufizuara dhe / ose aftësi të kufizuara në të mësuar. Me kalimin e viteve, janë bërë përpjekje të rëndësishme për të përfshirë një numër të madh nxënësish me aftësi të kufizuara në sistemin e rregullt. Në gusht 2019, u miratua Ligji për arsimin fillor, për përfshirjen e plotë të fëmijëve me aftësi të kufizuara në shkollat e rregullta, ndërsa për momentin Ministria e Arsimit dhe Shkencës po punon intensivisht në miratimin e Ligjit të ri për arsimin e mesëm, i cili do të bënte përfshirjen e nxënësve me aftësi të kufizuara më të suksesshme në shkollat e mesme.
Në pajtim me Konventën e OKB-së për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara (të cilën vendi ynë e ratifikoi dhjetë vjet më parë dhe kështu u obligua për të siguruar kushte për zbatimin e tij të vazhdueshëm), fëmijët / nxënësit me aftësi të kufizuara kanë të drejtë të arsimohen në sistem arsimor gjithëpërfshirës në të gjitha nivelet. Duke vepruar kështu, duhet ta gëzojnë këtë të drejtë pa diskriminim në bazë të aftësisë së kufizuar dhe në mënyrë të barabartë me të tjerët për t’u përfshirë në arsimin fillor ose të mesëm falas dhe të detyrueshëm.
Projekti do të sigurojë kushte për përfshirjen e lehtësuar të nxënësve me aftësi të kufizuara në procesin arsimor në shkollat e mesme në territorin e Qytetit të Shkupit, që do të mundësojë pjesëmarrjen e tyre aktive jo vetëm në mjedisin shkollor, por edhe më gjerë – në komunitetin dhe të gjitha sferat e shoqërisë.
Qëllimi kryesor i projektit është të sigurojë ndihmë dhe mbështetje për nxënësit me aftësi të kufizuara duke vendosur shërbim të vazhdueshëm dhe të specializuar online, përkatësisht mbështetje edukative online që do të mundësojë ushtrimin e vazhdueshëm të së drejtës për arsimim i cili do të bëhet përmes e-platformës eduink.mk. Sigurimi i mbështetjes arsimore të personalizuar online do të realizohet përmes përmbajtjeve mësimore të përshtatura (të diferencuara dhe të konkretizuara) në përputhje me qëllimet e Planeve Arsimore Individuale të nxënësve me aftësi të kufizuara.
Projekti do të sigurojë përdorimin e platformës nga të gjitha shkollat e mesme nën kompetencë të Qytetit të Shkupit që kanë përfshirë nxënës me aftësi të kufizuara përmes trajnimeve të kuadrit mësimdhënës, bashkëpunëtorëve profesionistë dhe prindërve për mbështetjen online të nxënësve me aftësi të kufizuara dhe përmes mbështetjes së drejtpërdrejtë në planifikimin, krijimin dhe vendosjen e përmbajtjeve në platformë.