Marija Montesori e filloi rrugëtimin e saj në arsim duke punuar me fëmijët me aftësi të kufizuara. Metoda dhe materialet e saj u zhvilluan së pari bazuar në vështrimet e fëmijëve me të cilët punoi për herë të parë.
Marija Montesori ishte vite përpara kohës së saj në vështrimet dhe zgjidhjet e saj për problemet me të cilat përballen mësimdhënësit kur punojnë me nxënësit me aftësi të kufizuara.
Prindërit dhe mësimdhënësit shpesh pyesin nëse Metoda Montesori është e përshtatshme për të punuar me nxënësit me aftësi të kufizuara?
Mjedisi Montesori është ideal për nxënësit me aftësi të kufizuara sepse theksi vihet tek individi, ndërsa puna përqendrohet në zhvillimin e aftësive dhe marrjen e njohurive që u jepen nxënësve gjatë prezantimeve individuale brenda mjedisit social nga nxënësit me zhvillim tipik.
Metoda Montesori është shpesh përgjigjja për shumë fëmijë që ndihen të përjashtuar në klasat tradicionale ku ulja në karrige ose ligjërimi i mësimeve është e vetmja metodë mësimore. Për nxënësit me aftësi të kufizuara dhe familjet e tyre që ndihen nën presion për t’u futur në “kallëpin” e programeve mësimore tradicionale, Metoda Montesori siguron qasje alternative që u mundëson ta ndjekin arsimimin e tyre në vend se të drejtohen nga ai.
Përparësitë e përfshirjes së nxënësve me aftësi të kufizuara sipas Metodës Montesori
- Nxënësit me aftësi të kufizuara arrijnë suksesin më të mirë kur punojnë në një kornizë të strukturuar qartë të aktiviteteve. Ata duan të dinë “çfarë do të ndodhë më pas”. Kalimi nga njëri aktivitet në aktivitetin tjetër është i vështirë nëse fëmijët nuk janë të përgatitur në mënyrë adekuate paraprakisht. Ata kanë nevojë për rend dhe orar të qartë. Kjo nevojë plotësohet në mjedisin Montesori. Materialet janë gjithmonë në të njëjtin vend, në të njëjtin rend. Puna me materialet kryhet gjithmonë në të njëjtin drejtim, nga e majta në të djathtë. Ekziston një kornizë e përcaktuar qartë e sjelljes dhe punës, që nga momenti i hyrjes në klasë. Liria jepet në një kornizë të përcaktuar qartë dhe të strukturuar. Në mënyrë plotësuese, organizimi dhe struktura e Klasës Montesori u ndihmon nxënësve të zhvillojnë aftësi organizative të menaxhimit të kohës që çojnë në pavarësi.
- Klasa Montesori është e pasur me materiale të bukura didaktike që i aktivizojnë të gjitha shqisat. Materialet janë joshëse, përfshijnë mundësinë që nxënësit të kontrollojnë veten, në mënyrë manipuluese dhe terapeutike. Ata u japin nxënësve me aftësi të kufizuara një mundësi të shkëlqyeshme për t’i përdorur duart e tyre për të kërkuar dhe mësuar. Manipulimi i materialeve Montesori për fëmijët me probleme emocionale dhe bihejviorale mund të jetë terapeutik në kuptimin e vërtetë të fjalës.
- Nxënësit në Klasën Montesori inkurajohen të punojnë dhe të mësojnë me ritmin e tyre. Kjo e zvogëlon prirjen e nxënësve për ta krahasuar progresin e tyre me moshatarët e tyre ose për të vërejtur se bashkënxënësi i tyre i klasës është pak a shumë i përparuar. Kjo e eliminon përshtypjen se janë “prapa”, që nxënësit me aftësi të kufizuara mund ta ndiejnë në klasat tradicionale.
- Në pedagogjinë Montesori, përkatësisht në filozofinë Montesori, theksi vihet tek paqja, bashkëpunimi dhe respektimi i dallimeve. Fëmijët e edukuar në këtë frymë kanë më pak të ngjarë t’i ngacmojnë dhe shmangin nxënësit me aftësi të kufizuara. Përkundrazi, ata bëjnë përpjekje për t’i pranuar, miqësuar dhe inkurajuar nxënësit me aftësi të kufizuara.
- Mësimdhënësit Montesori (edukatorët dhe rehabilitatorët specialë) janë vëzhgues të trajnuar të cilët e ndërtojnë dhe e përgatisin në mënyrë adekuate mjedisin në përputhje me nevojat e secilit nxënës, gjithmonë të udhëhequr nga parimi “Më ndihmoni ta bëj këtë vetë”.
- Mjedisi i gatshëm Montesori i mundëson nxënësit t’i kryejë aktivitetet në mënyrë të pavarur. Kjo ia rrit vetëbesimin dhe besimin në aftësitë dhe mundësitë e tij, por edhe vetëdijen për kufizimet dhe dobësitë e tij.
Mangësitë e përfshirjes së nxënësve me aftësi të kufizuara sipas Metodës Montesori
- Për disa nxënës me aftësi të kufizuara, materiali klasik Montesori është shumë i rëndë. Prandaj, materiali shtesë i përshtatur Montesori duhet të përpilohet vazhdimisht.
- Është shumë e vështirë për nxënësit me autizëm që janë në një nivel më të ulët funksional të përfshihen në aktivitetet e kohës së lirë në përputhje me parimet Montesori.
- Për disa nxënës me ADHD Montesori, klasa është shumë stimuluese. Mjedisi i përgatitur me një përzgjedhje shumë të madhe është barrë për ta. Ata kanë nevojë për një mjedis shumë të strukturuar me kufij të ngushtë dhe udhëzime më të drejtpërdrejta nga të rriturit.
- Në vendin tonë ka një numër të vogël të edukatorëve specialë që kanë të mbaruar trajnimin Montesori.
Materialet Montesori
Sipas Marija Montesori, fëmija duhet të jetë në një ambient, karakteri stimulues i të cilit i mundëson t’i formësojë dhe zhvillojë potencialet e tij. Kjo mund të arrihet vetëm përmes një mjedisi të përgatitur mirë me materiale që u përshtaten fazave të ndjeshme të fëmijëve.
Marija Montesori i ka zhvilluar materialet përmes praktikës shumëvjeçare në vëzhgimin dhe punën me fëmijët. Ata mund të ndahen në tri grupe themelore:
Praktike
Këto janë materialet që gjenden në jetën e përditshme dhe që do t’i ndihmojnë nxënësit të zhvillojë pavarësi dhe besim më të madh në aktivitetet e përditshme. Këto materiale janë veçanërisht mbështetje e rëndësishme për nxënësit të cilët arsimohen sipas programit të modifikuar.
Mund të ndahen në disa grupe:
- Kujdesi për personalitetin e vet, i cili përfshin materialet që do t’i ndihmojnë nxënësit ta kryejë në mënyrë të pavarur ushqimin, veshjen, mbathjen, etj. Përmes këtyre materialeve, fëmija e ushtron motoriken e lehtë dhe koordinimin vizual-motorik, funksione të rëndësishme për aktivitetet më komplekse, siç janë leximi, shkrimi.
- Kujdesi për mjedisin përmes të cilit aftësohen nxënësit për t’i kryer aktivitetet në mjedis. Për shembull, u tregohet si të shërbehet tryeza, si të ujiten lulet, të pastrohet tryeza, dyshemeja etj.
- Format e sjelljes në komunitet përmes të cilave nxënësit mësohen të ofrojnë dhe refuzojnë siç duhet diçka, respekt për punën dhe tolerancë ndaj të tjerëve, etj.
- Kontrolli i lëvizjes përmes të cilit ushtrohet kontrolli i motorikes së përgjithshme dhe ekuilibrit.