Motorika e përgjithshme u referohet lëvizjeve të muskujve të mëdhenj (stabilizues) të trupit, përkatësisht lëvizjeve që e përfshijnë tërë trupin. Është e rëndësishme për zhvillimin e aftësive që u mundësojnë fëmijëve t’i kryejnë aktivitetet e përditshme, të tilla si ecja dhe vrapimi, loja në shesh lojërash (p.sh. ngjitja) dhe aftësitë sportive (p.sh. kapja, hedhja dhe gjuajtja e topit).
Zhvillimi i motorikës së përgjithshme është thelbësor edhe për aktivitetet në lidhje me kujdesin për veten (p.sh. kur fëmija të vishet duhet të jetë në gjendje të qëndrojë në njërën këmbë për ta futur këmbën tjetër në këmbën e pantallonave pa rënë).
Zhvillimi i motorikës së përgjithshme ka ndikim edhe mbi aktivitetet e tjera të përditshme. Për shembull, mundësia e fëmijës për të mbajtur qëndrimin e duhur të pjesës së sipërme të trupit gjatë të ulurit, do të ndikojë në aftësinë e tij për të marrë pjesë në aktivitetet që i përfshijnë aftësitë e mira motorike (p.sh. të shkruarit, të vizatuarit dhe të prerit). Kjo, nga ana tjetër, reflekton më tej drejtpërdrejt në arritjet e fëmijës në shkollë.
Aftësitë për të cilat motorika e përgjithshme është thelbësore ndikojnë mbi durimin e fëmijës dhe kapacitetet e tij për t’u përballuar me qëndrimin e gjatë në shkollë (të ulet drejtë në bankë, të lëviz në mënyrë të sigurt në shkollë, ta mbajë çantën e rëndë shkollore, etj.). Zhvillimi i motorikës së përgjithshme ndikon mbi aftësinë e fëmijës për të lëvizur në mjedis (p.sh. lëvizja nëpër klasë, lëvizja në sheshin e lojërave ose në terrenin e pjerrët, përdorimi i shkallëve të lëvizshme, etj).
Zhvillimi i motorikës së përgjithshme tek fëmijët e moshës prej 6 deri në 7 vjeç
-
- Është i sigurt gjatë vrapimit, me ç’rast krahët lëvizin në drejtim të kundërt me lëvizjen e këmbëve
- Qëndron në njërën këmbë për 10 sekonda
- E gjuan topin
- Ngjitet në shkallë, njëkohësisht duke mbajtur sende në duar
- Ecë mbrapa
- Kërcen përpara 10 herë pa rënë
- Vrapon rreth pengesave
- Mbahet në shtyllë për të paktën 5 sekonda
- Ecë nëpër trarë
- Kërcen në një këmbë
- Bën në mënyrë të sigurt një rrotull përpara
- Demonstron modele të pjekura të hedhjes dhe kapjes
- Kapë një top të vogël me duar
- Kërcen një send dhe ulet në tokë me të dyja këmbët
- Nget biçikletë pa rrota ndihmëse.
Implikimet e mundshme për fëmijën me formimin e pamjaftueshëm të motorikës së përgjithshme:
-
- Vështirësitë në pjesëmarrjen në aktivitetet sportive
- Ulja e vetëbesimit kur e krahason veten me bashkëmoshatarët
- Pasiguria gjatë kryerjes së aktiviteteve që e përfshijnë lëvizjen.
Shënim:
-
- Kjo listë mbi kontrollimin e aftësive të fituara i referohet zhvillimit “tipik” të fëmijëve të një moshe të caktuar. Çdo fazë e zhvillimit supozon se aftësitë nga fazat e mëparshme janë arritur.
- Kjo listë shërben për të kontrolluar funksionalitetin e fëmijës në një fushë të caktuar të zhvillimit, në një moshë të caktuar, por kjo nuk mund të përdoret për vlerësim, dhe as nuk e reflekton kërkimin e standardizuar në mënyrë rigoroze.
- Kjo listë mbi kontrollimin mund të përdoret nga prindërit ose mësimdhënësit për të parë nëse fëmija ka fituar aftësi që janë karakteristike për një moshë të caktuar. Nëse ka vonesa të dukshme të zhvillimit te ndonjë fëmijë i caktuar, rekomandohet të konsultoheni me personat profesionalë të cilët do ta përcaktojnë nevojën për mbështetjen adekuate të fëmijës.