Përdorimi i kompjuterit dhe teknologjisë asistive në mësimin për nxënësit me aftësi të kufizuara
Zbatueshmëria e kompjuterit dhe teknologjisë asistive në mësim është e madhe. Mësimdhënësve u mundëson një spektër të gjerë aktivitetesh që mund t’i kryejnë me nxënësit me aftësi të ndryshme të kufizuara dhe për përmbajtje të ndryshme mësimore, duke përdorur metoda të reja të punës, klimë më të mirë inkluzive, etj. Nga ana tjetër, për disa nxënës përdorimi i kompjuterit dhe teknologjisë asistive është mundësia e vetme për pjesëmarrjen aktive në orë, përfshirje në aktivitetet mësimore, si dhe demonstrim të njohurive të nxëna.
Në procesin e ndjekjes së mësimit, teknologjia asistive mund të gjejë zbatim në rastet:
-
- kur nxënësi për shkak të vështirësive në motorikën e duarve nuk mund të përdorë laps dhe fletore, por me ndihmën e tastierës me susta të mëdha dhe trakbollit ose xhojstikut mund të shprehet me shkrim në kompjuter; të shkruaj plan pune nga tabela, të përgjigjet në pyetjet e dhëna, etj.;
- kur nxënësi ka vështirësi në të folur, e ka të vështirë të shprehet, mund t’i shprehë mendimet e tij me shkrim përmes kompjuterit, dhe më pas me ndihmën e lexuesit të ekranit të kompjuterit mund ta lexojë atë që ka shkruar nxënësi;
- për nxënësit me aftësi të kufizuara intelektuale ofroni lidhje të informacionit me ilustrimet konkrete, animacionet, video në kompjuter, etj., në mënyrë që nxënësi të marrë informacione mbi temën e caktuar;
- për nxënësit me dëmtime të shikimit, përdorni materiale mësimore me font të rritur ose thjerrëz elektronike që rrit përmbajtjen e ekranit.
Gjatë orës së mësimit, për të inkurajuar nxënësin me aftësi të kufizuara që të jetë më aktiv dhe të marrë pjesë më shumë, mundeni:
-
- të kërkoni të bëj prezantimin e temës që po punohet gjatë orës së mësimit dhe ta paraqesë para shokëve të klasës (nëse tema është diçka që është e vështirë të përvetësohet, mund ta përgatisë atë së bashku me një nga shokët e klasës);
- të kërkojë fotografi, ilustrime për temën e caktuar dhe t’i paraqesë para shokëve të klasës, etj.
Gjatë ndjekjes së nxënësit dhe vlerësimit të arritjeve të tij / të saj, kompjuteri dhe teknologjia asistive mund t’ju ndihmojnë gjatë:
-
- përdorimit të testeve elektronike, për shembull, nëse nxënësi ka vështirësi me lëvizjet e duarve dhe vështirësi në të shkruarit me laps, me ndihmën e teknologjisë asistive mund ta bëjë testin në kompjuter;
- ruajtjes së punimeve kompjuterike (teksteve, përgjigjeve në detyrat e punës) që do të tregojnë përparimin e nxënësit;
- përgatitjes së detyrave të shkollës dhe shtëpisë, etj.
Teknologjia asistive që do të përdorni në punën me nxënësin me aftësi të kufizuara duhet t’u përgjigjet nevojave të tij dhe t’i mundësojë ose mbështesë aktivitetet që janë të vështira për të. Gjithmonë duhet t’i keni parasysh aftësitë, vështirësitë, mjedisin dhe detyrat e nxënësit që i jepni, me qëllim që të mundësoni pjesëmarrje aktive gjatë orës së mësimit.
Shembulli 1:
Keni një nxënës në klasë me dëmtim të shikimit dhe vështirësi në të lexuarit e tekstit me font të vogël të shkronjave (për shembull, tekstet shkollore ose kërkesat për fletën e punës). Materialet që i përdorni gjatë orës së mësimit, qoftë të botuara, ose elektronike, duhet të jenë me font më të madh se fonti që përdorni me nxënësit e tjerë (dëmtimi i shikimit do t’ju orientojë se cilën madhësi të përdorni) dhe me kontrast të fortë (më së miri do të ishin shkronjat e zeza në sipërfaqe e bardhë). Në atë mënyrë do t’i mundësoni nxënësit me dëmtim të shikimit t’i kryejë urdhrat në të njëjtën kohë me shokët e tij të klasës, përndryshe do të ketë nevojë për ndihmën tënde ose ndihmën e nxënësit.
Shembulli 2:
Keni një nxënës në klasë me dëmtim të dëgjimit. Pas përpunimit të temës së caktuar mësimore, u jepni nxënësve urdhër verbal për përgatitjen e detyrës së caktuar. Në mënyrë që nxënësi me dëmtim të dëgjimit të marrë urdhrin në të njëjtën kohë me nxënësit e tjerë dhe të ketë kohë të barabartë të kryerjes, gjithmonë përgatitni urdhër me shkrim.