PO! Prindi është anëtar i barabartë i ekipit gjithëpërfshirës të nxënësve dhe merr pjesë në përpilimin e Planit Arsimor Individual. Prindi, përveç përpilimit ose programimit të qëllimeve, gjithashtu merr pjesë edhe në procesin e zbatimit, ndjekjes dhe evalvimit të aktiviteteve nga dokumenti i shkollës. Prindi, si edhe anëtarët e tjerë të ekipit ka të drejtë të ketë një kopje të PAI-së.
Në shkollën tonë nuk ka ERS (Edukator dhe rehabilitator special), çka më tutje?
Nëse në një shkollë fillore komunale brenda ekipeve gjithëpërfshirëse nuk ka bashkëpunëtor profesional-edukator dhe rehabilitator special, ose ndonjë profil tjetër të veçantë profesional, shkolla fillore komunale kërkon mbështetje nga shkolla me qendër burimesh ose qendrat e mbështetjes në përputhje me rajonin të cilit i përket.
Unë jam prind i një fëmije me aftësi të kufizuara, i cili është nxënës i klasës së parë. Çfarë mbështetje për të mësuar duhet shkolla t'i japë fëmijës tim?
Në pajtim me Ligjin për arsimin fillor, secila shkollë fillore duhet të ketë një ekip gjithëpërfshirës të shkollës, i cili kujdeset për politikat dhe praktikat gjithëpërfshirëse në nivelin e shkollës dhe një ekip gjithëpërfshirës të nxënësve që punon sipas Planit Arsimor Individual ose programit të modifikuar mësimor. Ekipi gjithëpërfshirës i nxënësve në përqendrimin e punës së vet i ka nxënësit e veçantë dhe përpilimin dhe zbatimin e Planeve të tyre Arsimore Individuale (PAI). Ekipi gjithëpërfshirës i nxënësve përpilon PAI dhe program të modifikuar mësimor për nxënësin me aftësi të kufizuara, në përputhje me potencialet dhe nevojat e tij individuale. Në mënyrë plotësuese, për të mbështetur mësimin për nxënësit me aftësi të kufizuara, shkolla fillore siguron: asistent arsimor, asistent personal, mbështetje të përshtatshme profesionale nga qendra e mbështetjes së të mësuarit, ekip gjithëpërfshirës dhe teknologji asistive me rekomandim të trupit profesional të vlerësimit dhe në përputhje me Planin Arsimor Individual ose programin e modifikuar.
Unë jam prind i një fëmije që sapo ka filluar klasën e tretë. Deri më tani, unë e kam shoqëruar në shkollë, por nuk do të mund ta bëj më atë. Si të marrë asistent arsimor?
Asistenti arsimor (njëjtë si edhe asistenti personal) merret vetëm me rekomandimin e trupit profesional të vlerësimit, përkatësisht nëse në mendimin / profilin funksional të dhënë nga trupi profesional i vlerësimit thuhet se fëmija ka nevojë për ndihmë si mbështetje për të mësuar. Profili funksional më pas dorëzohet në shkollën ku fëmija mëson, së bashku me kërkesën për asistent që është i emëruar, ndërsa shkolla duhet të dorëzojë kërkesë në komunën në territorin e së cilës ndodhet shkolla. Aktualisht, asistentët e angazhuar në mësim sigurohen përmes projektit për punë të dobishme shoqërore dhe në bashkëpunim të komunave me UNDP-në. Në të ardhmen, në përputhje me Ligjin për arsimin fillor, thirrja publike për selektimin dhe përzgjedhjen e asistentit arsimor / personal, selektimin dhe përzgjedhjen e asistentit arsimor / personal, si dhe trajnimin e asistentit arsimor / personal, do të zbatohen nga shkolla më e afërt me një qendër burimesh. Ligji thekson se mënyra e kërkimit të asistentit arsimor / personal, mënyra e selektimit dhe përzgjedhjes së asistentit arsimor / personal, si dhe programit të trajnimit të asistentit arsimor / personal i përcakton ministri, me propozim të Byrosë për Zhvillimin e Arsimit, por në këtë moment, aktet nënligjore që i rregullojnë këto çështje janë në fazën e përgatitjes.
Nuk ka asnjë edukator dhe rehabilitator special në shkollën ku fëmija im mëson. Si fëmija im do të marrë mbështetje për të mësuar nga personat profesionalë që mund t'i ndihmojnë t'i përvetësojë përmbajtjet mësimore?
Nëse shkolla nuk ka të punësuar bashkëpunëtor profesional të profilit të caktuar (edukator dhe rehabilitator special) ai mund të “huazohet” nga qendrat e mbështetjes së të mësuarit për nxënësit me aftësi të kufizuara dhe / ose shkollat me qendër burimesh dhe ai mund të përfshihet si anëtar i ekipit gjithëpërfshirës të shkollës dhe ekipit gjithëpërfshirës të nxënësve. Gjithashtu, nëse në nivelin komunal nuk ka shkollë fillore me qendër burimesh ose qendër të mbështetjes, mbështetja për të mësuar për nxënësit me aftësi të kufizuara sigurohet nga shkolla fillore më e afërt me qendër burimesh ose nga shkolla me qendrën e mbështetjes nga komuna më e afërt.
Jetojmë në Komunën e Çuçer Sandevës. Në shkollën ku mëson fëmija im, dhe mendoj se edhe në nivelin e tërë komunës, nuk ka të punësuar edukator dhe rehabilitator special. Si fëmija im të marrë mbështetjen në të mësuar?
Nëse në nivelin komunal nuk ka shkollë fillore me qendër burimesh ose qendër të mbështetjes, mbështetja për të mësuar për nxënësit me aftësi të kufizuara sigurohet nga shkolla fillore më e afërt me qendër burimesh ose nga shkolla me qendër të mbështetjes nga komuna më e afërt. Në rastin Tuaj, është Komuna e Butelit në të cilën ekziston shkollë fillore me qendër burimesh, përkatësisht ekziston SHVF “Idnina”.
Kam një fëmijë që tani është nxënës i klasës së parë dhe i cili sapo ka filluar të mësojë (me prani fizike). Ai ka aftësi të kufizuar (autizëm), por nuk ka Plan Arsimor Individual. Në shkollë më thanë që duhet ta bënin atë. Nuk e di sa duhet të pres. A mund të më përgjigjeni?
Në pajtim me Ligjin për arsimin fillor, brenda 30 ditëve nga dita kur nxënësi fillon mësimin në shkollë, ekipi gjithëpërfshirës i nxënësve përpilon PAI dhe program të modifikuar mësimor për nxënësin me aftësi të kufizuara në përputhje me potencialet dhe nevojat e tij individuale. Gjatë përpilimit të PAI-së dhe programit të modifikuar mësimor, ekipi gjithëpërfshirës i nxënësve bashkëpunon me mësimdhënësit e tjerë dhe bashkëpunëtorët profesionalë të përfshirë në procesin arsimor të nxënësit, si dhe me prindërit e nxënësit.
Unë jam mësimdhënës në mësimin klasor. Shumë herë në praktikën time shumëvjeçare më ka ndodhur të regjistroj fëmijë që ka aftësi të kufizuar të caktuar, përkatësisht ka dukshëm vështirësi në ndjekjen e programit të rregullt mësimor, por prindërit nuk pranojnë që fëmija të ketë probleme dhe vështirësi. Ju lutem për këshilla.
Qysh gjatë regjistrimit të fëmijës në shkollë, nëse komisioni i regjistrimit vlerëson se fëmija ka aftësi të kufizuara në zhvillim, dhe prindi, përkatësisht kujdestari nuk ka paraqitur mendim / profil funksional nga trupi profesional i vlerësimit, është në interesin më të mirë të fëmijës që komisioni ta dërgojë prindin, përkatësisht kujdestarin tek trupi profesional i vlerësimit, me qëllim që të përcaktohen masat e nevojshme për mbështetjen në mësim. E njëjta gjë vlen edhe nëse mësimdhënësi, në bashkëpunim me shërbimin profesional dhe anëtarët e ekipit gjithëpërfshirës të shkollës, vlerësojnë se fëmija duhet të dërgohet në trupin profesional të vlerësimit, është e nevojshme të bindni prindin se është në interesin më të mirë të fëmijës që të marrë mendim profesional / profil funksional në të cilin do të shënohet gjithçka që i nevojitet si mbështetje në mësim, me qëllim që të përparojë në mënyrë efikase.