Në platformë mund të gjenden përmbajtje të ndryshme edukative (tekste, fotografi, prezantime, video) përmes të cilave nxitet zotërimi i materialit mësimor, në përputhje me moshën e nxënësve me aftësi të kufizuara, si dhe në përputhje me Planin e tyre Arsimor Individual (PAI).
Platforma ka pjesën kryesore që është e arritshme për të gjithë vizitorët, dhe ku mund të gjenden informacione për fëmijët parashkollorë dhe për nxënësit e arsimit fillor dhe të mesëm. Përmbajtjet trajtojnë tema në lidhje me arritjet në fushat e zhvillimit tek fëmijët tipikë të moshës 6-7 vjeç, periudha para fillimit të arsimit fillor, në mënyrë që të fitohet njohuria mbi kompetencat që fëmija në atë moshë duhet t’i posedojë për të ndjekur mësimin sipas planit dhe programit të rregullt mësimor. Më tutje, faqja ofron artikuj mbi arsimin gjithëpërfshirës, llojet e mbështetjes që u jepet nxënësve me aftësi të kufizuara në shkollat e rregullta, çfarë është PAI-ja, për kë është e dedikuar dhe si hartohet, strategjitë e punës me nxënës me lloje të ndryshme të aftësisë së kufizuar, shpjegime të qasjeve dhe metodave të ndryshme të punës me fëmijët me aftësi të kufizuara, këshilla për prindërit, si dhe përshkrimi i studimeve të rasteve.
Platforma, gjithashtu, ofron shërbime të personalizuara të mbështetjes ndaj të mësuarit. Për të marrë mbështetje të personalizuar arsimore, është e nevojshme të regjistrohet nxënësi dhe pas regjistrimit, do të hapet profili i personalizuar në të cilin do të ketë qasje nxënësi, prindi, mësimdhënësi (dhe persona të tjerë, të tillë si edukatori special dhe / ose asistenti arsimor, në rast se nxënësi ka mbështetje ndaj të mësuarit edhe nga këta persona). Në këto profile të personalizuara do të publikohen përmbajtje dhe udhëzime të individualizuara arsimore për të mësuar në përputhje me PAI-në e secilit nxënës.
Në mënyrë plotësuese, platforma ofron mundësinë që prindërit / mësimdhënësit të bëjnë pyetje dhe të ofrojnë përgjigje përkatëse profesionale, shkëmbime mendimesh, diskutim, mbështetje të mësimdhënësve të shkollave fillore dhe të mesme në hartimin e përmbajtjeve në përputhje me PAI-në, bashkëpunim midis shkollave të rregullta dhe atyre të veçanta (qendrat shkollore të ardhshme burimore), mbështetje psikosociale të prindërve, ndjekje individuale të nxënësve nga profesionistët.