ZHVILLIMI I TË FOLURIT
DHE AFTËSITË E KOMUNIKIMIT TE FËMIJËT
Zhvillimi i të folurit zakonisht vërehet përmes dy fushave kryesore:
-
- Zhvillimi i të folurit receptiv (të kuptuarit e të folurit)
- Zhvillimi i të folurit ekspresiv (të folurit ose përdorimi i gjesteve dhe / ose formave të tjera alternative të komunikimit).
Të folurit receptiv nënkupton marrjen e informatave dhe të kuptuarit e domethënies së tyre nga fëmija. Fëmija mund t’i marrë informatat si porosi e të folurit (p.sh. “Pasi të kemi mbaruar mëngjesin, do të bëhemi gati të dalim jashtë”), informata vizuale (p.sh. Drita jeshile do të thotë të shkosh), tinguj (p.sh. Sirena do të thotë që ndihma urgjente po kalon nëpër rrugë) dhe informata me shkrim (p.sh. “Mos i hidhni mbeturinat”, “Hyrja është e ndaluar”, etj.).
Të folurit ekspresiv i referohet përdorimit të fjalëve, fjalive, gjesteve dhe shprehjeve të shkruara për t’ua përcjellë porositë të tjerëve. Përmes të folurit ekspresiv, fëmija i emërton sendet nga mjedisi, përshkruan veprime dhe ngjarje, tregon përralla, u përgjigjet pyetjeve, e shpreh atë që e mendon në formë me shkrim, etj.
Të folurit është një mundësi për të përdorur zërin për të prodhuar fjalë dhe fjali për t’i shprehur nevojat, dëshirat, mendimet dhe idetë tona dhe për të bashkëvepruar me të tjerët. Të folurit përfshin, gjithashtu, edhe mundësinë për të përdorur modele të ndryshme të intonacionit për t’i shprehur emocionet.
Zhvillimi i të folurit dhe aftësitë e komunikimit tek fëmijët e moshës prej 6 deri në 7 vjeç
-
- E tregon emrin dhe mbiemrin, moshën, ditëlindjen dhe adresën e plotë
- Përdor fjali të zgjeruara (E godita topin dhe ai shkoi në rrugë)
- Përdor fjalë që tregojnë lidhje farefisnore: motër, vëlla, gjyshe, gjysh
- E thotë fjalën e fundit në analogjitë e kundërta (e hollë – e trashë)
- Tregon përralla të njohura pa fotografi për të kujtuar
- Përdor fjali të përbëra (“Ajo dëshiron të vijë, sepse ___________”)
- Të folurit është i rrjedhshëm dhe i saktë, përdor fjalim përshkrues
- Shtron pyetje, jep përgjigje me më shumë fjali
- Kënaqet në shaka, këndim, bërjen e rimës, etj.
- Njeh fjalë të reja dhe pyet për kuptimin e tyre
- Mund t’i analizojë fjalët, të njohë nga cilat tinguj përbëhen
- I kopjon thekset e dëgjuara në mënyrë korrekte
- Fillon të lexojë
- E shkruan emrin dhe mbiemrin e vet
Të kuptuarit e të folurit është i rëndësishëm për një komunikim të suksesshëm. Fëmijët të cilët kanë vështirësi në të kuptuarit e të folurit kanë vështirësi që t’i ndjekin udhëzimet të cilat u jepen në shtëpi ose në shkollë, gjë që ndikon në përgjigjen e duhur ndaj kërkesave të parashtruara. Në kuadër të shkollës, fëmija mund të ketë vështirësi në mbajtjen e vëmendjes ose probleme në sjellje. Meqë shumica e aktiviteteve shkollore kërkojnë një kuptim të mirë të gjuhës, fëmija do të përballet me vështirësi në zotërimin e përmbajtjeve të planit mësimor dhe përvetësimin e njohurive akademike të përshtatshme për moshën.
Sfidat më të shpeshta me të cilat përballen fëmijët që kanë vështirësi në zhvillimin e të folurit:
-
- Ulja e vëmendjes dhe përqendrimit
- Nevoja për t’i përsëritur udhëzimet të cilat i jepen
- Jep përgjigje të pazakonshme në pyetjet që i drejtohen
- Ka vështirësi gjatë të dëgjuarit e përrallave
- I shmanget të folurit
- Përdor më shumë gjeste sesa fjalë
- Ka vështirësi në të shprehurit me shkrim
- Lehtë zhgënjehet
- Demonstron sjellje sfiduese
- Ulja e vetëbesimit
- Kompetenca të dobëta sociale.
Shënim:
- Kjo listë mbi kontrollimin e aftësive të fituara i referohet zhvillimit “tipik” të fëmijëve të një moshe të caktuar. Çdo fazë e zhvillimit supozon se aftësitë nga fazat e mëparshme janë arritur.
- Kjo listë shërben për të kontrolluar funksionalitetin e fëmijës në një fushë të caktuar të zhvillimit, në një moshë të caktuar, por kjo nuk mund të përdoret për vlerësim, dhe as nuk e reflekton kërkimin e standardizuar në mënyrë rigoroze.
- Kjo listë mbi kontrollimin mund të përdoret nga prindërit ose mësimdhënësit për të parë nëse fëmija ka fituar aftësi që janë karakteristike për një moshë të caktuar. Nëse ka vonesa të dukshme të zhvillimit te ndonjë fëmijë i caktuar, rekomandohet të konsultoheni me personat profesionalë të cilët do ta përcaktojnë nevojën për mbështetjen adekuate të fëmijës.