Përdorimi i kompjuterit për të punuar me nxënësit me aftësi të kufizuara nuk është gjithmonë i mjaftueshëm. Për disa nxënës, kompjuteri mund të jetë vështirësi shtesë për shkak të: lëvizjeve të kufizuara të duarve, motorikës së lehtë të zhvilluar në mënyrë të pamjaftueshme, vizualizimit të përmbajtjes së ekranit, përdorimit të pajisjeve standarde të hyrjes (miut, tastierës), etj. Prandaj, duhet të përdoren pajisje asistive shtesë që mund ta bëjnë kompjuterin të përdorshëm për personat me aftësi dhe vështirësi të ndryshme.
Teknologjia asistive përfshin spektër të gjerë mjetesh ndihmëse për të lehtësuar lëvizjen, komunikimin, punën në kompjuter dhe shërbimet që u mundësojnë personave të kryejnë funksione që përndryshe do të ishin të vështira ose të pamundura për t’u realizuar.
Produktet e teknologjisë asistive mund t’u mundësojnë personave me aftësi të kufizuara të kryejnë detyrat e përditshme, të ndihmojnë në komunikim, arsim dhe punë, përkatësisht në thelb të ndihmojnë personat të arrijnë pavarësi më të madhe dhe të përmirësojnë cilësinë e jetës së tyre.
Zgjidhja për nevojat individuale ndonjëherë mund të përfshijë më shumë se një pajisje; kjo shpesh kërkon kombinim të produkteve standarde dhe asistive dhe mund të jetë i ndryshëm për një individ ose një tjetër, ose nga një kontekst në tjetrin.
Kur bëhet fjalë për përdorimin e kompjuterit, pajisjet asistive janë produktet harduerike ose softuerike që u mundësojnë personave me aftësi të kufizuara qasjen, ndërveprimin dhe përdorimin e kompjuterëve në shtëpi, në shkollë ose në punë. Teknologjia asistive mund të kuptohet më së miri kur ndahet në kategori ose në grupe produktesh:
- Pajisjet alternative të hyrjes
- Përfshijnë tastiera alternative dhe të përshtatura, tastiera të mëdha, minj alternative dhe ergonomike / sisteme të treguesve, pajisje që e kontrollojnë treguesin me ndihmën e kokës, pajisje që e kontrollojnë treguesin me lëvizjen e syve ose gojës, përkatësisht gjuhës, klikimeve, ekraneve me prekje, sisteme të njohjes së të folurit, programe për të shndërruar të folurit në tekst, programe diktimi, tastiera virtuale, programe për ndryshimin e kursorit, pajisje kompjuterike ergonomike, etj.
- Pajisjet alternative të daljes
- Pajisjet e daljes të bazuara në kompjuter që u mundësojnë personave të verbër ose personave me dëmtim të shikimit të përdorin kompjuterin. Përfshijnë displejin Braev, printerin Braev, softuerin të quajtur lexues i ekranit, zmadhuesin e ekranit, etj.
- Softueri i disponueshëm
- Përfshin aplikacionet softuerike të përshtatura për fëmijët dhe të rriturit me aftësi të kufizuara, opsionet e disponueshme në sistemin operativ, faqet e disponueshme të internetit, shfletuesit e disponueshëm të internetit, etj.