Aftësia e kufizuar intelektuale i referohet gjendjes së fëmijës, niveli i funksionimit intelektual dhe aftësive adaptuese të të cilit janë nën mesataren për një fëmijë të moshës së tij kronologjike.
Shpeshherë shumë shkaqe të lidhura në mënyrë të ndërsjellë shpien në shfaqjen e aftësisë së kufizuar intelektuale që mund të shkaktohet nga një numër i madh faktorësh. Në shumë raste kjo është rezultat i çrregullimeve gjenetike ose kromozomike. Në raste të tjera, mund të shfaqet si rezultat i lëndimeve ose sëmundjeve që ndodhin gjatë shtatzënisë ose fëmijërisë së hershme, kequshqyerjes ekstreme të fëmijës, kujdesit joadekuat mjekësor, ekspozimit ndaj toksinave në mjedisin jetësor, si dhe për shkak të ambientit jostimulues, veçanërisht në fëmijërinë e hershme.
Kufizimet në aftësitë intelektuale manifestohen nga vëmendja dhe përqendrimi i zvogëluar, harresa, vështirësitë e të mësuarit, vështirësitë e mbamendjes dhe të menduarit. Kjo kontribuon që këta nxënës të kenë prirje drejt motivimit të ulët dhe vetëbesimit. Për sa i përket sjelljes, këta fëmijë kanë vështirësi në aftësitë sociale dhe praktike. Fëmijët me aftësi të kufizuar intelektuale shpesh shfaqin mangësi në aftësitë e vetëvendosjes, të bërit e zgjedhjes, zgjidhjes së problemeve dhe vendosjes së qëllimeve. Ndonjëherë aftësia e kufizuar intelektuale shoqërohet nga vështirësitë shëndetësore shtesë, si në shëndetin fizik, ashtu edhe në atë mendor.
Vëmendja
Vëmendja është aftësia themelore për të parë, dëgjuar dhe menduar për detyrat e dhëna në klasë për një periudhë kohore. I gjithë mësimi dhe të mësuarit varet nga kjo.
Vëmendja paraqet aftësinë për t’i zgjidhur dy ose më tepër detyra në të njëjtën kohë. Kjo është mundësia për ta lëvizur përqendrimin përpara dhe prapa ndërmjet dy ose më tepër aktiviteteve me të cilat merreni në të njëjtën kohë.
Pa vëmendje, të mësuarit e gjërave të reja thjeshtë nuk ndodh, ndërsa pyetjet nuk kuptohen, nuk kuptohet materiali dhe ai nuk mund të mbahet mend. Shumë nxënës me probleme për të mbajtur vëmendjen shpesh nuk janë në gjendje të ndjekin orën dhe materialin mësimor të prezantuar nga mësimdhënësi.
Për të mbajtur vëmendjen e nxënësit për një periudhë më të gjatë kohore gjatë kryerjes së aktivitetit të dhënë, është e nevojshme:
– Aktiviteti nuk duhet të jetë shumë i gjatë. Aktivitete më të shkurtra duhet të praktikohen;
– Aktiviteti të shpjegohet. Pastaj të përdoren udhëzimet në formate të shumëfishta: vizuale dhe verbale;
Mbamendja / Memoria
Memoria i referohet aftësisë për të memorizuar udhëzime ose për të ruajtur informata në mendje aq kohë sa të përdoren në të ardhmen për të kryer detyra dhe aktivitete të caktuara.
Përqendrimi
Kur punoni me fëmijët me aftësi të kufizuar intelektuale është e nevojshme të përdorni teknika të thjeshta relaksimi për të përmirësuar përqendrimin, të tilla si frymëmarrja e thellë me fotografi vizuale pozitive. Gjatë planifikimit të detyrave është e nevojshme t’i kushtohet vëmendje kohës për nivelin e ulët dhe të lartë të përqendrimit. Disa fëmijë kanë përqendrim të mirë në mëngjes, gjatë orës së parë dhe të dytë, të tjerët më vonë pas shujtës ose gjatë orës së katërt dhe të pestë. E gjithë kjo i ndihmon nxënësit të përqendrohet më mirë në detyrë. Hapësira në të cilën kryhet aktiviteti (detyra), nuk duhet të ngarkohet me shumë rekuizita që do ta shpërqendronin dhe nxënësi nuk do të jetë në gjendje të përqendrohet në detyrën e dhënë. Loja është njëra nga metodat më të rëndësishme për të rritur përqendrimin.
Ekzistojnë më tepër lojëra që përmirësojnë përqendrimin për fëmijët si:
-
- Lojëra për të menduar
Enigmat dhe lojërat me letra, të tilla si “Memoria” dhe “Uno”, e përmirësojnë vëmendjen. Gjithashtu, “Enigmat me fotografi” në të cilat nxënësi duhet të kërkojë gjëra që “NUK është në rregull” në foto, përkatësisht nuk janë në vendin e duhur në fotografi, e përmirësojnë vëmendjen dhe e rrisin përqendrimin.
-
- Të bërit e orarit
Shtrimi i tryezës ose vendosja e gjërave në rend alfabetik janë aktivitete të shkëlqyera për nxënësit që kanë vështirësi në përqendrim.
-
- “Vetëm qëndro ulur“
Kjo lojë përfshin një sfidë që kërkon që nxënësi të ulet në karrige pa lëvizur ose të lëviz për të parë se sa kohë mund ta bëjë këtë. Një lojë tjetër për të përmirësuar përqendrimin në këtë kategori është “Statuja”. Përmes përsëritjeve të shumta të lojës, truri i fëmijës “ushtrohet” dhe sfidohet. Kjo e forcon lidhjen mendje-trup dhe e përmirëson fokusin.
-
- Vëreje dallimin
Këto lojëra e ndihmojnë nxënësin të përqendrohet në aktivitet për një periudhë më të gjatë kohore derisa i shikon detajet e fotove. Është më mirë të zgjidhni fotografi për enigma që janë të përshtatshme për moshën e nxënësit.
-
- Çfarë mungon?
Lexoni një varg numrash ose fjalësh që i pëlqejnë dhe pastaj kaloni numrin / fjalën gjatë procesit. Nxënësi duhet të përqendrohet me kujdes për të vërejtur se cila fjalë / numër mungon. Një tjetër mundësi është që t’u kërkoni nxënësve të numërojnë mbrapsht ose të tregojnë rrëfimin me radhë (me ç’rast duhet të kihet kujdes tema e rrëfimit t’i përshtatet moshës së nxënësve).
-
- Loja me memorie
Zgjidhni një temë, edhe ju, edhe nxënësi zbuloni me radhë çifte letrash nga ajo temë. Derisa nxënësi përpiqet të kujtohet për çdo letër, mësimdhënësi e ushtron memorien e tij, duke e rritur aftësinë e nxënësit për t’u përqendruar.
Të mësuarit
Njëra nga mënyrat më të fuqishme që nxënësit mësojnë është rutina. Rutina është një seri hapash për të arritur një aktivitet të caktuar. Kur hapat dhe fjalori përdoren vazhdimisht, nxënësi mund të mësojë duke u zgjuar, duke marrë pjesë dhe duke përfunduar aktivitetin në mënyrë të pavarur. Nxënësve me aftësi të kufizuara intelektuale duhet t’u jepen detyra, përkatësisht t’u jepen përmbajtje mësimore, ashtu që të ndahen në hapa më të vegjël në mënyrë të njëpasnjëshme.
Strategjitë (teknikat) e dobishme për të mësuar për nxënësit me aftësi të kufizuara intelektuale:
-
- Përgatitja në mjedisin e shkollës
Disa nxënës reagojnë mirë në mjedis që është qetësues, por të tjerët mund të përparojnë në mjedis ku ka rrëmujë dhe zhurmë.
-
- Puna individuale me nxënësit
Tek nxënësit me aftësi të kufizuar intelektuale, rezultatet më të mëdha në procesin e të mësuarit arrihen kur ekziston një qasje individuale.
-
- Ndarja e aktivitetit në hapa dhe të mësuarit gradual në çdo hap duke i përsëritur vazhdimisht hapat e mëparshëm
Jepni detyra më të vogla për të rritur vëmendjen dhe për të përmirësuar përqendrimin dhe motivimin. Studimi i të gjithë kapitullit në një kohë është mjaft i vështirë për nxënësin. Gjithmonë ndihmon kur detyrat ndahen në faqe ose madje në paragrafë, në mënyrë që fëmija të ndiejë një sens të arritjes për të përfunduar një detyrë të vogël dhe kjo do ta motivojë që të vazhdojë më tutje.
-
- Të kuptuarit e metodës së të mësuarit të nxënësit (vizual, auditiv, kinestetik)
Të gjithë fëmijët mësojnë në mënyra të ndryshme. Disa fëmijë i përpunojnë me lehtësi informatat kur i shohin, disa kur i dëgjojnë dhe të tjerët kur kanë njohuri praktike për to dhe mund t’i prekin.
Është e rëndësishme të vëzhgojmë dhe kuptojmë se si nxënësi mëson sepse kjo do t’i ndihmojë t’i kuptojë më mirë informatat dhe të mësuarit do të jetë më tepër afatgjatë sesa afatshkurtër. Për shembull, nëse nxënësi mban mend më mirë vizualisht, atëherë ai nxënës është më mirë që detyrën ta shikojë.
Të bërit e kartelave me fjalë – Nëse nxënësi mëson drejtshkrim, madje edhe nocione, shkruajini në kartela të vogla dhe vazhdimisht tregojini. Kjo do t’i ndihmojë t’i kuptojë dhe t’i mësojë këto koncepte shumë më shpejt.
Vizatimi – Për disa fëmijë, vizatimi mund të ndihmojë më mirë në vizualizimin e materialit. Kërkimi i nxënësit për të vizatuar atë që po mëson mund t’i ndihmojë më mirë ta vizualizojë materialin, dhe gjithashtu i ndihmon të zhvillohen aftësitë e tij të lehta motorike.
Auditive – Nxënësit që mësojnë më mirë kur do të dëgjojnë informata janë nga nxënësit auditivë. Këta nxënës mësojnë më mirë duke lexuar materialin me zë ose duke dëgjuar dikë tjetër duke lexuar. Në këtë drejtim, mund të incizoni tekstin e mësimeve në versionin audio ose natyrisht të përdorni libra audio.
Muzika – Dëgjimi i muzikës gjithashtu mund t’u ndihmojë fëmijëve që më mirë të përqendrohen gjatë orëve të mësimit.
Kinestetike – Nxënësit që mësojnë në këtë mënyrë duhet të jenë në gjendje të prekin dhe ndiejnë materialin që po mësojnë në mënyrë që ta kuptojnë dhe përpunojnë më mirë. Për këta fëmijë, të mësuarit përmes aplikimeve praktike mund të jetë më e dobishme sesa leximi me zë ose të shkruarit.
Gjatë të mësuarit është e nevojshme:
-
- Të jepet mundësia për të ushtruar të njëjtin aktivitet ose aftësi, shumë herë në mjedis të ndryshëm;
- Stimulimi fizik dhe verbal i fëmijës;
- Të vendoset sistemi i shpërblimeve. Kjo sigurisht që do të ndihmojë në ndërtimin dhe rritjen e përqendrimit. Shpërblimi për secilën përgjigje të saktë mund të jetë lavdërimi, theksimi i nxënësit, një kohë të shkurtër duke luajtur me lojën e preferuar, një shëtitje, etj.;
- Përdorimi i materialeve dhe mjeteve të vërteta dhe reale nga mjedisi natyror është komponenti themelor për mësimin efektiv me nxënësit me aftësi të kufizuar intelektuale;
- Të vendosen qëllime të shkurtra kohore për një përqendrim më të mirë.
Mësimdhënësi luan rol të rëndësishëm në procesin e të mësuarit tek fëmijët me vështirësi kognitive
Disa rekomandime për mësimdhënësit:
-
- Ju, si mësimdhënës dhe personalitet, bëni dallim të madh në jetën e fëmijës;
- Mësimdhënësi me sjelljen e tij ndaj fëmijës me vështirësi kognitive është model për nxënësit e tjerë të klasës. Mësimdhënësi është hallka që do të mundësojë lidhjen e këtyre fëmijëve me të tjerët;
- Gjejini interesat dhe pikat e forta të fëmijës dhe theksoni ato;
- Krijoni situata që mundësojnë fëmija me aftësi të kufizuar intelektuale të arrijë sukses;
- Jini sa më konkret që të jetë e mundur. Demonstroni atë që dëshironi ta thoni dhe mos jepni vetëm udhëzime verbale. Tregoni fotografi, lejoni nxënësin të provojë, të eksperimentojë me materialet;
- Ndani detyrat më të gjata, më të mëdha, më komplekse në disa hapa më të vegjël. Tregoni hapat. Pastaj lëreni që nxënësi t’i bëjë hapat një nga një. Ndihmoni nëse është e nevojshme, por gjithashtu jepini kohë të mjaftueshme për të provuar vetë para se t’i ndihmoni;
- Jepni nxënësit informatë kthyese për atë që ka bërë menjëherë;
- Kushtojini vëmendje dhe mësojini fëmijës aftësitë e nevojshme jetësore dhe sociale;
- Përfshijeni në aktivitete të përbashkëta, ekipore dhe klube / seksione;
- Emëroni shokët e klasës për të ndihmuar nxënësin me aftësi të kufizuar intelektuale gjatë të mësuarit;
- Punoni së bashku me prindërit e fëmijës dhe shërbimet e tjera të shkollës për të zhvilluar dhe zbatuar një plan arsimor sipas nevojave të fëmijës. Ndani vazhdimisht informatat në lidhje me punën dhe sjelljen e tij në shkollë dhe në shtëpi;
- Keni pritje reale, shtroni qëllime reale (të realizueshme), por me tendencë të përhershme që fëmija t’i zhvillojë në kapacitet të plotë potencialet e tij;
-
- Flisni dhe silluni me nxënësin me aftësi të kufizuar intelektuale ashtu siç flisni edhe me cilindo qoftë nxënës tjetër;
- Para testit përdorni ose lejoni që teknikat e relaksimit dhe menaxhimit të stresit të përdoren.
- Lejoni më shumë kohë për zgjidhjen e detyrave të testeve.