Aftësitë sociale janë aftësitë që i përdorim çdo ditë për të bashkëvepruar dhe për të komunikuar me të tjerët. Këto përfshijnë komunikimin verbal dhe joverbal, të tilla si: fjalimi, gjesti, shprehjet e fytyrës, mbajtja dhe lëvizjet e trupit. Një person ka aftësi të forta sociale nëse ka kapacitete të zhvilluara për t’i kuptuar rregullat e shkruara dhe “të pashkruara” kur komunikon me të tjerët.
Aftësitë sociale janë me rëndësi thelbësore që fëmija të mund dhe të mbajë bashkëveprime pozitive me të tjerët. Shumë nga këto aftësi janë thelbësore në ndërtimin dhe mirëmbajtjen e miqësive. Ndërveprimet sociale jo gjithmonë shkojnë normalisht. Ata i kërkojnë fëmijës të zbatojë strategji përkatëse, të tilla si për shembull, zgjidhja e konflikteve kur lindin vështirësitë në ndërveprime. Është gjithashtu e rëndësishme që fëmijët të zhvillojnë “empati” (respektivisht të jenë në gjendje të vendosin veten në vend të dikujt tjetër dhe t’i njohin ndjenjat e të tjerëve), gjë që do t’u mundësojë të tregojnë mirëkuptim dhe qëndrim të kujdesshëm ndaj bashkëmoshatarëve dhe të rriturve.
Loja është angazhimi vullnetar i fëmijës në aktivitetet e vetëmotivuara dhe që zakonisht shoqërohen me kënaqësi. Përmes lojës, fëmijët mësojnë për mjedisin dhe vendin e tyre në botën përreth tyre. Loja e pastrukturuar në fëmijërinë e hershme u ndihmon fëmijëve ta njohin mjedisin e tyre të ngushtë. Loja gjithashtu mundëson të zhvillojnë aftësi sociale. Siç rriten, fëmijët mësojnë për rregullat e shoqërisë duke bërë lojëra me rregulla, mësojnë të gëzohen me fitoren, por edhe ta pranojnë humbjen, mësojnë të “luajnë drejt”. Ata, gjithashtu, mësojnë t’i kontrollojnë impulset e tyre për të biseduar dhe për t’i zgjidhur konfliktet me bashkëmoshatarët. Para se gjithash, loja është e nevojshme për argëtim dhe relaksim.
Zhvillimi socioemocional tek fëmijët e moshës prej 6 deri në 7 vjeç
-
- Bëhet më i vetëdijshëm për emocionet e veta dhe të tjerëve
- Përpiqet t’i kontrollojë emocionet
- Dëshiron të shquhet, ta shfaq talentin e tij
- Zhvillon vetëkontroll, di të përmbahet gjatë të folurit dhe të shtruarit e pyetjeve
- Luan lojëra imagjinative që përfshijnë fusha që nuk i ka provuar kurrë personalisht (p.sh. udhëtime në hapësirë)
- Bisedon me bashkëmoshatarët gjatë lojës
- Luan me bashkëmoshatarët në grupe të vogla, i hartojnë lojërat e tyre me rregulla
- Luan lojëra kolektive, por zakonisht nuk merret me humbjen.
- Kënaqet në lojëra me fëmijët e tjerë të së njëjtës gjini
Si të njohim fëmijën që ka vështirësi në zhvillimin socioemocional?
-
- Ulja e vëmendjes dhe përqendrimit
- Lehtë orientohet nga një aktivitet në tjetrin, pa luajtur vërtet me lodrën
- I hedh lodrat në dysheme
- Ka vështirësi gjatë pritjes së radhës së tij dhe ndarjes me të tjerët
- Shqetësohet kur “humb” në lojë
- Nuk i njeh ndjenjat e njerëzve të tjerë bazuar në shenjat e tyre verbale dhe joverbale
- Ka vështirësi gjatë shprehjes dhe rregullimit të emocioneve
- Vështirë vendos dhe mbajnë miqësi
- Gjithmonë kërkon një të rritur për të luajtur me të
- Ka zgjedhje të kufizuar të lojërave dhe lodrave për të luajtur
- Zakonisht dëshiron të luajë vetëm
- Shpesh e ndërpret lojën
- Nuk është në gjendje të mbajë një temë bisede dhe jep komente paushalle gjatë bisedës
- Nuk i kupton pasojat e veprimeve të tij
Shënim:
- Kjo listë mbi kontrollimin e aftësive të fituara i referohet zhvillimit “tipik” të fëmijëve të një moshe të caktuar. Çdo fazë e zhvillimit supozon se aftësitë nga fazat e mëparshme janë arritur.
- Kjo listë shërben për të kontrolluar funksionalitetin e fëmijës në një fushë të caktuar të zhvillimit, në një moshë të caktuar, por kjo nuk mund të përdoret për vlerësim, dhe as nuk e reflekton kërkimin e standardizuar në mënyrë rigoroze.
- Kjo listë mbi kontrollimin mund të përdoret nga prindërit ose mësimdhënësit për të parë nëse fëmija ka fituar aftësi që janë karakteristike për një moshë të caktuar. Nëse ka vonesa të dukshme të zhvillimit te ndonjë fëmijë i caktuar, rekomandohet të konsultoheni me personat profesionalë të cilët do ta përcaktojnë nevojën për mbështetjen adekuate të fëmijës.